Reforma në arsim – Rama: 2200 mësues do të largohen nga sistemi

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së me ngjarjet më të rëndësishme politike të vitit të kaluar. Ai vuri theksin te domosdoshmëria e çeljes së negociatave me Bashkimin Europian si dhe te procesi i Vetting-ut, që sipas tij do të japë rezultate gjatë 2-3 muajve të parë të vitit.
Sa i takon reformës në arsim, ai tha se ka përfunduar dixhitalizimi i plotë i procesit të rekrutimit, zëvendësimit dhe emërimit të mësuesve, që sipas tij, kjo vlen edhe për edukatorët. Ndërkohë, lidhur me testimin e mësuesve, ai tha se do të largohen nga sistemi 2200 mësues për shkak të rezultateve të dobëta në testim.
“Në 100 ditë janë testuar 20 mijë mësues dhe janë 2200 mësues që do të largohen nga sistemi për shkak të rezultateve të dobëta në testim. Sikundër, nga ana tjetër 300 drejtues shkollash me performancë mizerabël janë larguar dhe janë zëvendësuar nga 300 mësues të renditur në vendet më të larta nga testimet e bër anga Ministria e Arsimit dhe nga rezultatet në performancën e tyre.”
Ndërkohë, Rama shtoi se ka nisur puna për themelimin e shkollës së drejtorëve të shkollave për të gjithë sistemin parauniversitar si dhe ka përfunduar akreditimi i universiteteve.
Ndër të tjera, kryeministri u ndal te reforma në shëndetësi, sektor të cilin e cilësoi si shumë problematik. Rama tha se në vitet e ardhshme do të lançohet edhe Portali i Infermierëve të Shqipërisë.
“Në vitet e ardhshme do të lançojmë Portalin e Infermierëve të Shqipërisë. Infermierët do të testohen dhe në bazë të testit do të marrin pikët. Në bazë të pikëve do të rekrutohen në të gjitha pikat dhe kush ka nevojë do ti drejtohet portalit, jo partisë apo fisit”, tha ai.
Sipas tij, nëpërmjet portalit do t’u jepet mundësia të rinjve dhe të rejave që të marrin postin në bazë të meritokracisë dhe të mos flaken në rrugë ato që kanë shumë vite eksperiencë.
Ndërkohë, Rama u ndal edhe te pagesa e paaftësisë, sipas të cilit falë reduktimeve drastike të procedurave, dhënia e pagesës bëhet në mënyrë shumë më të thjeshtuar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.