Reforma në inspektorate – Ministria e Sipërmarrjes, pyetësor për sugjerimet e biznesit

Qeveria tashmë ka nisur një proces reformimi të agjencive qeveritare dhe të gjitha inspektorateve. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka publikuar një pyetësor për të gjitha bizneset që me komentet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj reforme.
Komuniteti i biznesit shpesh herë është ankuar për abuzivitetin e inspektorëve të ndryshëm gjatë kontrolleve të tyre. Por përqendrimi i monitorimit tashmë nga Inspektorati Qendror së shpejti do të bëjë që çdo inspektim nëpër biznese të jetë onlinë dhe i kontrollueshëm.
Nëpërmjet Reformës në Inspektim synohet të krijohet një sistem modern të inspektimeve, që do të garantojë konkurrencën e lire për biznesin, kushte lehtësuese, ulje të arbitraritetit. Ndërkohë që nga viti i kaluar ka nisur platforma e inspektimit online, çka ka nxjerrë jashtë funksionit “blloqet” gjatë kontrollit të bizneseve.
Sipas Inspektoratit Qendror tashmë janë 500 pajisje me internet që kryejnë këtë funksion në terren, ndërkohë që pritet të ndërhyhet në ligjin mbi inspektimin për ruajtjen e aktit administrativ, çka do rrisë transparencën në këtë fushë.
Ndërkohë po punohet edhe për ndryshimin e ligjit mbi inspektimet, çka do të jetë një “mburojë” edhe për biznesin, por edhe një përcaktim më i qartë i funksioneve të inspektorëve dhe mënyrës së kontrollit të tyre duke bashkëvepruar mes njëri-tjetrit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.