Reforma zgjedhore, Basha: Të enjten rikthehet debati në Kuvend
Seanca e tensionuar parlamentare e të enjtes që shkoi ka qenë në fokus të diskutimeve të grupit parlamentar demokrat këtë të hënë. Pas mbledhjes së grupit kryedemokrati Basha tha se do të intensifikojnë aktivitetin parlamentar, duke paralajmëruar rikthimin e praktikës së seancës së pyetjeve në Kuvend.
“Ne do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar, duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe Ministrat e tij para përgjegjësisë. Diçka prej të cilës po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si baçevan, një ditë si kopshtar”.
Të enjten në parlament do të rikthehet debati për reformën zgjedhore. Basha nënvizoi se pa rivendosur institucionin e zgjedhjeve, shqiptarët kurrë nuk do të kenë një qeveri që të mendojë për ta.
“Theksi këtë javë mbetet tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duket si përsëritje por pa rivendosur institucionin e zgjedhjeve shqiptarët kurrë nuk do të kenë një qeveri që të mendojë për ta. Do mendojë për ata që e sollën në pushtet, Edi Ramën e sollën në pushtet bandat, krimi, droga dhe paratë e drogës. Ky është haraçi që paguan çdo shqiptar nga mëngjesi deri në darkë sot qoftë sa i përket përkeqësimit të qeverisjes, rritjes së taksave mungesës së shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi, gjendjes së përgjithshme ekonomike të vendit që janë efekte të një qeverie që bashkëqeveris me krimin, një Kryeministri që është rob i marrëdhënies korruptive me oligarkët”.
Në seancën e javës që shkoi kreu i demokratëve u përjashtua për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Masë kjo e marrë nga kryetari i Kuvendit pasi kryedemorkati nuk ju bind thirrjeve të tij për të lënë të lirë foltoren.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.