Reformat në polici – Xhafaj merr mbështetjen e autoritetit italian kundër korrupsionit

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj merr mbështetjen e Presidentit të Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali, Raffaele Cantone për reformat ne policinë e shtetit. Ministri i brendshëm në takimin e zhvilluar ne ambientet e Ministrisë njohu Cantonen me reformat e fundit që po ndërmerren në kuadër të Vettingut në Polici dhe Policimit në Komunitet, ku veçoi asistencën e misionit europian PAMECA.
Po ashtu ministri Xhafaj e njohu Presidentit te Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali, me ecurinë dhe rezultatet e operacionit “Forca e Ligjit” dhe nismën për Vetting-un në Polici. Kreu i Autoritetit Antikorrupsion në Itali theksoi rëndësinë e bashkërendimit të reformës në gjyqësor dhe reformimit të Policisë së Shtetit.
Ai vlerësoi cilësinë e legjislacionit që po implementohet në Shqipëri dhe u shpreh i gatshëm për të rritur nivelin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, sidomos për masat pas vënies në zbatim të procesit të Vetting-ut, për sigurimin e mekanizmave parandalues dhe garantimit të integritetit të punonjësve të Policisë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.