Reformat tatimore në SHBA – Trump nënshkruan urdhër për rishikimin e rregulloreve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi disa veprime ekzekutive që urdhërojnë rishikimin e rregulloreve tatimore të 2016-ës dhe tërheqjen e reformës financiare Dodd-Frank.
Presidenti vizitoi Departamentin e Thesarit për të nënshkruar veprimet, duke thënë se administrata kërkon të ndihmojë amerikanët që synojnë të arrijnë objektivat e tyre financiare.
Ai tha gjithashtu se do të ketë një lajmërim të madh mbi reformat tatimore të Mërkurën e ardhshme.
Veprimi i parë është një urdhër ekzekutiv që drejton Thesarin për të rishikuar të gjithë rregulloret e rëndësishme tatimore të vitit 2016, për të zbuluar nëse imponojnë ndonjë barrë të panevojshme financiare për taksapaguesit.
Trump theksoi rëndësinë e thjeshtëzimit të kodit tatimor përpara nënshkrimit të urdhrit. Presidenti tha se hapa të tjera në reformën tatimore do të vijnë në formën e reduktimit të normave për individët, kryesisht klasën e mesme, si dhe uljen e taksave për bizneset.
Trump nënshkroi gjithashtu 2 memorandume mbi reformën Dodd-Frank, të prezantuar nga paraardhësi i tij Obama, në kundërpërgjigje të krizës financiare të 2008-ës.
Një do të rishikojë Autoritetin e Likuiditetit të Rregullt, për të parë nëse inkurajon marrjen e riskut apo krijon rrezik moral (Moral Hazard).
Memorandumi i dytë do të jetë për një rishikim prej 180 ditës të procedurave të Këshillit të Mbikëqyrjes së Stabilitetit Financiar, që përcaktojnë institucionet që janë shumë të rëndësishme për të dështuar (too big to fail).
“Këto rregullore inkurajojnë sjellje të rrezikshme. Do të ndërmarrim hapa që ekonomia jonë të jetë më e drejtë“, tha Donald Trump.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.