Reformat vlejnë 30% të PBB, FMN: “Drejtësia” dhe “pronat” do të gjeneronin fitim marramendës
Reforma institucionale do të ketë një impakt në 30% në prodhimin kombëtar të vendit tonë, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Europën.
Një e treta e këtij raporti i referohet pikërisht reformës në drejtësi në vendet e Europës Juglindore, dhe fokusohet më së shumti në historinë e suksesit të vendeve si Kroacia, Hungaria, Ukraina, Çekia, Polonia.
Thuajse të gjitha këto vende, kanë ndërmarrë një reformë të thellë institucionale me fokus të veçantë në drejtësi përpara se të bëheshin anëtare të Bashkimit Europian. Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë, Shqipëria duket se është një prej ekonomive që do të përfitonte më së shumti nga një reformë e thellë institucionale, që përfshin edhe atë në drejtësi.
Siç duket nga grafiku, për Serbinë përfitimi është lehtë më p madh se në vendin tonë. Grafiku tregon gjithashtu se, zgjidhja e çështjes së pronave është më problematika, dhe se një fund i lumtur i kësaj historie, do të kishte impaktin më të madh në prodhimin kombëtar, me mbi 10%.
Në vend të dytë është pikërisht reforma në drejtësi, e ilustruar me ngjyrën blu. Peshë më të vogël duket se ka lehtësimi i investimeve të huaja si dhe lehtësimi i rregullatorëve të biznesit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.