Reformimi i Europës! Një proces që sapo ka nisur, por rruga është e gjatë
Edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt, deklarata bombë e Angela Merkel pas samitit të G7-ës, flet qartë. Kancelarja gjermane deklaroi se, pas G7-ës, Europa nuk duhet të ketë më besim te Donald Trump. “Koha kur ne mund të mbështeteshim te të tjerët, ka kaluar dhe këtë e kuptova ditët e fundit. Ne, europianët duhet të marrim fatin në duart tona”, deklaroi shprehimisht Merkel. Për kancelaren, samiti i G7-ës në Taormina shërbeu për të dhënë alarmin dhe se Europa duhet të jetë e bashkuar përballë sifdave aktuale dhe atyre të ardhshme.
Thyerjen përfundimtare mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara e konfirmoi mosarritja e një marrëveshjeje mbi ndryshimet klimatike. Ishte Donald Trump ai që i tha jo dakordësisë. Madje Merkel deklaroi se, biseda mbi këtë çështje ishte mjaft e pakënaqshme. Kancelarja gjermane, gjithsesi kërkoi që, Europa të ruajë marrëdhëniet e miqësisë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Plani sekret i Merkel
Mediat gjermane, ndërkohë, bëjnë me dije se, kancelarja ka bërë gati një plan sekret për Europën. Ky plan përmban edhe hipotezën e një qeverie të Eurozonës, në gjendje të emetojë edhe tituj për të financuar investimet, por jo eurobonde. Plani sekret i Merkel, ka si prioritet kyç adresimin e çështjes së refugjatëve dhe stabilizmin e gjendjes në Libi. Prioriteti i dytë është mbrojtja dhe Merkel kërkon që të shpenzohen më shumë para në këtë drejtim.
Madje, plani përfshin edhe ngritjen e një komande qendrore në Bruksel për mbrojtjen e përbashkët. Me Brexit, Londra nuk është pengesë e këtij projekti. Shtylla e tretë është pikërisht politika ekonomike. Matteo Renzi, ndërkohë, kreu i partisë në qeveri në Itali dha një tjetër sinjal, duke kërkuar që zgjedhjet në Itali të mbahen në të njëjtën ditë me ato në Gjermani, pra në 24 shtator. Sipas tij, kjo gjë, në këndvështrimin europian, bën sens. Nuk është çudi që në Europën e së ardhmes, zgjedhjet parlamentare të mbahen në të gjitha vendet anëtare në të njëjtën ditë, duke minimizuar kështu pasiguritë, sidomos në tregje, por edhe besimin e investitorëve dhe konsumatorëve.
Eurozona me buxhet të përbashkët
Pak ditë pas deklaratës së Angela Merkel, Komisioni Europian dha sinjalin e parë se Europa është e vendosur të bëjë hapin tjetër, më të madhin që prej krijimit të zonës së monedhës së përbashkët. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, nëpërmjet një dokumenti të menduar gjatë, kërkon një buxhet të përbashkët për Eurozonën, si dhe një ministri të përbashkët të financave. Ideja që qarkullon prej kohësh ka marrë aprovimin dhe shtysën finale nga Emmanuel Macron, njeriu që mposhti populizmin në Europë me tezën e tij proeuropiane. Berlini, që deri pak kohë më parë mendohej si pengesa kryesore e këtij projekti, pas shtatorit nuk do të jetë më në fushatë elektorale dhe gjasat tregojnë se, Angela Merkel synon një Europë më të bashkuar.
Dokumenti i Komisionit Europian parashikon një sërë reformash të tjera, që kanë për qëllim të shmangin në të ardhmen kriza të ngjashme me ato të borxhit në vitet 2010-2012. Komisioni Europian kërkon më shumë vendosmëri nga vendet anëtare për ta bërë më funksional unionin ekonomik dhe monetar. Pavarësisht se dokumenti në fjalë jep disa zgjidhje, duke ia lënë vendeve anëtare vendimin përfundimtar, në fakt sugjeron se, zgjidhja më e mirë është ajo që, blloku duhet të ndërtojë një thesar të Eurozonës. Mënyra sesi buxheti i përbashkët i Eurozonës do të financohet parashtron disa opsione. Në këtë buxhet do të kishin akses edhe vendet e Bashkimit Europian, që nuk ndajnë monedhën e përbashkët. Kjo fazë pritet të avancojë gjatë periudhës 2019-2025.
Drejt unionit bankar
“Bashkimi Europian duhet të vendosë rregulla të thjeshta për kapitalin e bankave në mënyrë që të përfundojë unionin bankar nën mbikëqyrjen e unionit politik”, deklaroi anëtari i Bankës Qendrore Europiane, njëkohësisht guvernatori i Bankës së Francës, Francois Villeroy de Galhau. Unioni bankar është një ndër shtyllat që i mungon Bashkimit Europian dhe gjatë viteve janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të nisur përfundimin e këtij projekti, që do ta bënte Europën shumë më shumë të bashkuar.
Villeroy nënvizoi se, duhet një zgjidhje e shpejtë edhe ndaj problemeve që po hasin bankat në Itali dhe Portugali, pasi sipas tij, nuk është normale që problemet lokale të reflektohen në imazhin e përgjithshëm të sektorit bankar në Eurozonë. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaroi se, është kundër propozimit të Gjermaninë për të kushtëzuar, në të ardhmen, fondet e përbashkëta europiane me respektimin e rregullave nga vendet anëtare.
Në një kohë që Bashkimi Europian po reformohet pas largimit të Britanisë, qeveria gjermane ka propozuar ngrirjen e fondeve për vendet që dështojnë të përmbushin rregullat. Për Jean-Claude Juncker, Komisioni Europian ka mënyra të tjera për të bërë të qartë se, solidariteti nuk është një rrugë me një drejtim. Numri një i Komisionit Europian nënvizoi, gjithashtu se çështja më urgjente për t’u përballur është krijimi i tregut të përbashkët të kapitalit dhe unionit bankar, brenda vitit 2019.
“ESM” duhet të shndërrohet në “FMN”
“Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), që është edhe fondi i shpëtimit të Eurozonës, duhet të shndërrohet në një version europian të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, deklaroi Jeroen Dijsselbloem, i cili është edhe kryetari i Eurogrupit. “Mendoj se do të bënte më shumë sens për mekanizmin që të zhvillohet në një version europian të FMN në terma afat-mesëm”, nënvizoi Dijsselbloem. Ai shtoi se, kjo do të thotë që, “trojka” e huadhënësve të Greqisë, që përfshin Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar do të thyhet në terma afatgjatë. “Banka Qendrore Europiane ndihet e parehatshme në rolin e trojkës”, deklaroi kreu i grupimit të ministrave të financave të 19 vendeve të Eurozonës, duke shtuar se, “edhe Komisioni Europian ka detyra të tjera mjaft të rëndësishme me të cilat duhet të merret dhe nuk mund të fokusohet te “trojka”. Propozimi i Dijsselbloem është bërë kohë më parë edhe nga ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble.
Katalizatorët e “Europës së Re”
Gjërat duket se janë vënë në vijë dhe Europa ka ndryshuar kurs. Kjo linjë e re vjen për disa arsye. Së pari, vjen në një kohë që ekonomia europiane ka hyrë në ciklin më pozitiv të rritjes në një dekadë dhe kushtet ia lejojnë Europës, që të projektojë fazën tjetër. Së dyti, retorika proteksioniste e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e detyron Europën të përshpejtojë hapin, duke nxitur një integrim më të shpejtë se ç`ishte planifikuar.
Vetëm e bashkuar, Europa do të mund t’i bëjë ballë një ekonomie si Shtetet e Bashkuara, që me Trump në krye duket se ka ndërmend t’i shpallë luftë tregtare dhe ekonomike të gjithëve, pa përjashtuar edhe vetë Europën. Së treti, Europa ka luksin të mendojë për projektin e ardhshëm pasi populizmi jo vetëm që u shkelmua në kontinentin e vjetër, por nxiti edhe një frymë proeuropiane, të pandeshur më parë, gjatë dy dekadave të fundit. Vala antipopuliste arriti të prodhojë politikanë, të cilët sot janë bërë liderë, në gjendje për t’i dhënë shtysë një Europe të re. Njerëz si Emmanuel Macron, erdhën në pushtet duke premtuar Europën e re dhe duke vendosur në qendër të programit të tyre pikërisht këtë lloj Europe. Në qendër të debatit ka qënë vazhdimisht Berlini. Në vetëm pak muaj, situata në Europë është përmbysur tërësisht.
Kthesa e madhe, zgjedhjet në Francë
Kthesa e madhe në axhendën europiane erdhi gjatë fushatës elektorale në Francë. Me fatin e Europës që po luhej, mes një proeuropiani si Macron dhe një antieuropiane të betuar si Le Pen, Europa duhet të zgjidhte dhe zgjedhja nuk kishte si të ishte tjetër veçse Emmnauel Macron.
Ky i fundit ndihmoi për t’i hapur sytë Europës së bashkuar, duke i kujtuar sa kohë ka humbur deri më tani dhe se të humbësh ende kohë mund të jetë fatale. Ministri i Financave në Gjermani, Wolfgang Schaeuble, tha se Gjermania do të mbëshetesë presidentin e ri francez për të fuqizuar Bashkimin Europian dhe unionin monetar. Pavarësisht kësaj, Schaeuble kritikoi disa prej propozimeve të Macron, që do të kërkonin ndryshime të traktateve, gjë që ai dhe Gjermania nuk i konsideron si realiste për momentin. Por, ky frenim mund të ketë edhe prapavijë elektorale duke qënë se në shtator, gjermanët do të votojnë. Duke marrë parasysh se, janë konservatorë të tepruar, politika gjermane duhet të bëjë kujdes me gjuhën që përdor.
“Ne do të mbështesim Macron, në rrugën për fuqizimin e Europës dhe unionit monetar”, tha Schaeuble, në një takim të Unionit Kristian Demokrat. Ai shtoi se, çdokush që e njeh Europën e pranon se nuk është realiste të mendosh për ndryshim traktatesh në këtë periudhë. Gjermania nuk ka probleme politike me Macron, ish-bankierin që kandidoi si i pavarur, por Schaeuble tha se, disa prej masave që Macron ka propozuar, do të duhet të vendosen në Francë. Ai shtoi se, është i bindur që Macron mendon për një Europë të fortë, duke theksuar se duhet një klimë më e mirë e investimeve dhe konkurrueshmëri që të fuqizohet unioni.
Europa e bashkuar është një ndër projektet më ambicioze dhe jetëgjatë të krijuar ndonjëherë dhe vështirësitë në përfundimin e këtij projekti ishin parashikuar më herët. Evolucioni i këtij bashkimi tregon se, fazat nëpër të cilat ka kaluar kanë qënë të gjata e të vështira shpeshherë, por rrallëherë të pamundura.
Roel Korkuti/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.