Refugjatët, Turqia: Marrëveshja po bie, nuk bashkëpunojmë më
Marrëveshja e Bashkimit Europian me Turqinë për krizën e refugjatëve është në prag kolapsi, sipas ministrit turk përgjegjës për integrimin.
Ankaraja ka rënë dakord me Bashkimin Europian që të frenojë valën e refugjatëve që kërkojnë Europën perëndimore, duke marrë në këmbim 3 miliardë euro, si dhe premtimin për liberalizim të vizave dhe përshpejtim të procesit të integrimit të vendit drejt unionit.
Por, përplasjet e fundit mes dy palëve, kanë bërë që Turqia të mendojë realisht të anulojë marrëveshjen. Ministri turk deklaroi se, marrëveshja ka dy palë, dhe kur njëra palë nuk e implementon atë, atëherë Turqia nuk ka më asnjë detyrim.
“Nëse pakti i refugjatëve bie, atëherë është e qartë ajo që do të ndodhë; ne nuk do të bashkëpunojmë më me asnjë mekanizëm që operon në emër të Bashkimit Europian”, deklaroi ai.
Marrëdhënia mes Turqisë dhe Bashkimit Europian jo vetëm që nuk është në ditët më të mira, por ka prekur nivele të tjera tensioni, që nuk ishin parë gjatë dekadës së fundit.
Referendumi i Prillit, që me shumë gjasa do t`i japë Erdogan pushtet të plotë ekzekutiv, ka bërë që Europa mos të ketë më dyshime në këtë pikë, pasi vihet në kërcënim demokracia e një vendi anëtar të NATO-s.
Por nga ana tjetër, kolapsi i marrëveshjes së refugjatëve përkthehet në një krizë të re për Europën, në një kohë që platitë populiste kërcënojnë të marrin pushtetin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.