Regjistër elektronik për OJF-të. Pr.ligji/ Lehtësohen procedurat e regjistrimit, gjoba për shkeljen e afateve
Organizatat Joftimprurese do të ndjekin një procedure më të thjeshtë aplikimi për regjistrim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Projektligji për “Regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, i depozituar për diskutim në komisionet parlamentare përcakton rregulla më të thjeshtuara për regjistrimin OJF-ve dhe digjtalizimin e të dhënave dhe arkivave të OJF-ve, për të mundësuar një sistem për shkëmbimin e informacionit, duke përfshirë statusin, vendndodhjen, llojin e aktivitetit, numrin e stafit dhe informacione të tjera relevante për OJF-të, në bazë të ndryshimit të kuadrit ligjor.
Sipas projektligjit, për këtë qëllim do të ngrihet një regjistër elektronik i organizatave jofitimprurëse i cili do të mbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku do të përmbajë të gjitha të dhënat, kërkesat për regjistrim dhe dokumentet shoqëruese. Nga ana tjetër, projektligji parashikon edhe gjoba nga 7500-15 mijë lekë për deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta nga personat që bëjnë regjistrimin. Po ashtu, i njëjti nivel gjobash aplikohet edhe në rast të moskryerjes së detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj. Ndërsa tarifat që duhet të pagujnë OJF-të për regjistrim, do të përcaktohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.