Regjistri i llogarive bankare/ Një “armë” e fortë në luftën me evazionin apo shkelje e të drejtave të njeriut
Qeveria shqiptare po përgatit përpara saj një plan shumë të ngjeshur me projektligje që i takojnë fushës së ekonomisë, duke u përpjekur të formatojë sistemin për t’iu përshtatur kushteve që kërkon menaxhimi i krizës dhe kërkesave nga partnerët ndërkombëtarë.
Të gjithë këto projektligje pritet t’i japin një dorë të re fiskalizimit të ekonomisë dhe të plotësojë një prej objektivave kryesorë që qeveria ka në fokus, siç është luftimi i informalitetit dhe evazionit fiskal.
Ministrja Denaj ka shpjeguar se heqja e e Tvsh-së për bizneset deri në 10 milionë dhe heqja e tatim-fitimit për fashën e bizneseve deri në 14 milionë lekë janë dy nga masat që pritet ta ndihmojnë qeverinë në luftimin e evazionit fiskal tek bizneset e mesme dhe të mëdha.
“Për të goditur evazionin fiskal administrata tatimore është në një masë të madhe e varur nga kontrollet, inspektimet dhe këto kapacitet nuk plotësohen nga burimet njerëzore.
Pjesa e kontrollove që duhet të ulni evazionin varet nga njerëzit. Kur ti e aplikon këtë për 126 mijë biznese, bëhet e pamundur për administratën për të goditur të gjitha burimet e evazionit.
FMN ka bërë thirrje për rritjen e pragut dhe me reformën për heqjen e TVSH-së tashmë ne do të jemi të fokusuar tek biznesi i madh dhe i mesëm.” – u shpreh ministrja në një intervistë për emisionin “Argument” në SCAN TV.
Mirëpo, ajo që po shkakton debate në opinionin publik midis ekspertëve të ekonomisë është vendimi i qeverisë për të çuar përpara një projektligj që është shumë i diskutueshëm.
Po flitet pikërisht për ligjin e Regjistrit të Llogarive Bankare, që do t’i japë akses të plotë Administratës Tatimore në të dhënat personale të individëve apo kompanive që operojnë në Shqipëri. Ministrja Denaj është shprehur se ky regjistër së bashku me atë të pronarëve përfitues po përgatitet me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare dhe vjen si një mjet për të luftuar më tej evazionin fiskal në Shqipëri dhe të luftojë pastrimin e parave.
“Regjistri i pronarëve përfitues dhe llogarive bankare janë informacione që, jo vetëm do ngrihen në bazë sistemesh dhe do kryqëzojnë informacionet, por do e realizojnë këtë jo vetëm në sistemin lokal por edhe ndërkombëtar. Pjesa më e madhe është e punuar me partnerë ndërkombëtarë.” – u shpreh ministrja.
Më tej, pyetur nga gazetari Enio Civici për domosdoshmërinë e këtij sistemi për transferimin e të dhënave në llogarinë bankare dhe abuzimet që mund të bëhen me keqpërdorimin e informacionit ministrja është përgjigjur se për këtë do të ketë elementë të shumtë sigurie.
Në raste abuzimi duhet të jenë subjekt i një hetimi dhe administrata tatimore, dhe nëse një person apo biznes evidenton në të ardhmen dhe ka fakte sigurisht që të gjithë do jenë pjesë e një hetimi.
Regjistri do bëhet me partnerë ndërkombëtarë. Përdorimi i të dhënave do të jetë aty me të drejta të kufizuara si në Drejtorinë e Thesarit. Siguria e informacionit është e tillë e ndërtuar në shkallë dhe e kontrolluar me disa parametra që nëse dikush ka ndërmend të hyjë do të kapet.”
Ajo ka argumentuar gjithashtu pse Administrata Tatimore është më e përshtatshme për këtë rol se Banka e Shqipërisë:
“Banka Shqipërisë ka regjistrin e kredive. Administron një bazë të gjerë të dhënash që ndihmon edhe për të vendosur, sipas hapësirave ligjore politika të rëndësishëm që Banka merr përsipër, por nuk ka sot një regjistër bankar që kryqëzon informacionet së bashku me atë të tatimeve për të evidentuar parregullsitë.
Ka metodologji të ndryshme dhe në hartimin e projektligjit është diskutuar ku do të rrinte më mirë ky regjistër i ri, pasi nuk ekziston ende në Shqipëri dhe u vendos për administratën tatimore, sepse kështu shkëput më mirë rolin e Bankës së Shqipërisë nga ai që është roli administrativ me gjurmimin dhe evidentimit të çështjeve që lidhen me evazionin. Administratat tatimore do ta bënte më të kryqëzuar dhe transparente këtë proces.”
Zv.ministrja Vjero: “Projektligji i mirëpritur nga institucionet financiare”
Zv.ministrja e Financave Vasilika Vjero, e cila po ndjek procesin e konsultimeve dhe hartimit të këtij projektligji që vjen edhe si dispozitë e Bashkimit Europian ka përsëritur gjithashtu të njëjtën gjë në pyetje e drejtuara në emisionin “Intervista” në SCAN.
“Në fakt ky regjistër është një instrument i nevojshëm për të gjitha autoritetet që t’i vijnë në ndihëm atyre për të identifikuar, gjurmuar zbuluar pasuritë që mund të kenë prejardhje me veprimtarinë kriminale. Qëllimi i regjistrit është shumë më tepër nga ajo çfarë është perceptuar.”
Ndërkohë znj.Vjero ka shpjeguar se ky ligj do të qëndrojë në kohë pasi është një mekanizëm që ndihmon të gjitha qeveritë për qenë në përputhej me standartet e kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë dhe institucioneve të huaja ligjzbatuese:
Pavarësisht ndryshimit ose jo të qeverive, ligji për regjistrin e llogarive bankare do rezistojnë ë kohë. Ky ligj është i mbështetur në direktivën e BE- dhe kërkesë e MoneyVal, që e kishte renditur në listën gri.
Gjithashtu do bëhet regjistri për pronarët përfitues,. Këto ligje dhe masa të tjera do e pozicionojnë shumë mirë Shqipërinë në klasifikimin e ‘MoneyVal’.
Ndër shqetësimet e disa prej ekspertëve është edhe fakti nëse ky është projektligji i duhur që Shqipëria duhet të zgjedhë për të luftuar evazionin dhe pastrimin e parave, mirëpo znj.Vjero është përgjigjur se ky mekanizëm do t’i përshtatet mjaft mirë ekosistemit shqiptar duke lehtësuar komunikimin mes institucioneve:
Ky regjistër do lehtësojë komunikimin mes strukturave, bankave dhe institucioneve financiare, të cilët e kanë mirëpritur pasi lehtëson punën e tyre të përditshme dhe madje kanë kërkuar që institucionet që e kanë këtë regjistër të mund të shtrihen përtej qëllimti që ka ligji, për të marrë informacion në një kohë shumë të shkurtër.
Gjithashtu zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë shpjegoi se një ndër aspektet më pozitive të projektligjit është fakti që janë vetë institucionet financiare që këmbëngulin për kalimin e tij në Kuvend dhe se në këtë mënyrë klima e besimit jo vetëm që nuk dobësohet ndërmjet shtetit dhe bizneseve, por do të përforcohet akoma edhe më shumë nëpërmjet krijimit të regjistrit:
“Do të jenë vetë institucionet financiare që do ta transmetojnë këtë informacion, i cili më tej do përdoret në mënyre të besueshëm dhe korrekte dhe qëllimin që na kërkohet nga institucionet financiare, edhe pse bankat do jenë burimi kryesor i këtij regjistri do jenë informacionet shtetërore që nëpërmjet shkëmbimit të informacionit mund të korrigjojnë edhe të dhëna që mund të jenë të regjistruar gabim dhe të identifikojë personat që mund të jenë duke abuzuar apo fshehur pasuritë personale.
Është një bashkëpunim i të dy palëve dhe besim i shtuar dhe fakti që është mirëpritur nga institucionet financiare tregojnë se ato kanë më shumë besim për mënyrën se si ky informacion do të përdoret.”
Pikëpyetjet e nismës/Ekonomisti Dritan Shano: “Projektligji shkel të drejtat e njeriut”
Ndërkohë ekonomisti Dritan Shano projektligjin e ka cilësuar një abuzim të madh të shtetit me të drejtat e njeriut dhe të drejtat tregtare të individëve apo kompanive. Sipas tij nga viti 2013 edhe më tej gjithnjë e më shumë shteti po kufizon hapësirat në treg për operatorët ekonomikë:
“Që nga 2009 e këtej kur mbaroi reforma e rregullimit të shkëlqyer që ndërmori qeveria Berisha, pra nga ai moment e mbrapa ka një frenim, ndërsa nga 2013 e këtej kemi një fuqizim të tepërt të shtetit në territorin ekonomik, qoftë nëpërmjet taksave, qoftë nëpërmjet ligjeve arbitrare që kufizojnë aftësinë vendimamarëse dhe hapësirën financiare të kompanive dhe individëve. Ky ligj në vetvete bën të njëjtën gjë. ”
Ai mendon se në konceptin e tregut të lirë, ky projektligj në mënyrë të pajustifikuar i jep shtetit të drejtën për të qenë dominues dhe jo partner në treg, duke rritur në këtë mënyrë vëzhgimin në masë të dhënave personale dhe duke thyer një kontratë që është fillimisht e vendosur mes bankave dhe individëve apo kompanive dhe kjo sipas tij nuk është efektive:
“E para njëherë nuk jam dakord me projektligjin sepse është për mendimin tim shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave tregtare, të kesh administratën tatimore dhe prokurorinë online sa i përket llogarive bankare.
Një tentativë e tillë për ta bërë online rrit në mënyrë krejt disproprocionale fuqinë e shteti mbi individin dhe ekonominë nuk bën asgjë tjetër. Në një vend demokratik ekziston prezumimi i pafajësisë, pra askush nuk mund të kontrollojë dikë pa patur një dyshim të arsyeshëm se kompania është fajtore. Dhe dyshimin e arsyeshëm të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit mund ta arrijnë vetëm nëpërmjet një urdhri të gjykatës. Pra ata duhet t’i provojnë gjykatës se individi, kompania kanë evazion pa kryejnë aktivitet kriminal dhe më pas merr autorizimin.
Një shtet demokratik zbaton të drejtën e më të dobëtit. Pra nëse unë vendosem në një pozicion shumë të dobët në krahasim me shtetin, atëherë nuk kemi më shtet demokratik por diktatorial.” – u shpreh z.Shano
Ndryshe nga ministrja dhe zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, eksperti Shano mendon se ky ligj do të dëmtojë klimën e besimit në tregun shqiptar mes institucioneve financiare dhe shtetit:
“Patjetër, kalimi në një fuqi policore dëmton klimën e besimit që duhet të ngrenë institucionet tatimore dhe financiare. Ky ligj e rrëzon në tokë besimin mes palëve. Në një ekonomi tregu shteti është palë dhe partner, në rastin konkret është një dominues i marrëdhënies dhe nga kjo nuk dalin gjëra të mira, pavarësisht se thuhet po luftohet e keqja. Unë e gjej këtë të tepruar sepse mekanizmat ligjore për të kontrolluar evazionin ekzistojnë nuk ka nevojë për shtesa.
Në konceptin e Shanos si ekonomist, penalitetet që ka prezantuar ministria në projektligj për të gjithë ata që nuk bëjnë në mënyrë të duhur shkëmbimin e informacionit apo japin me vetëdije informacione të falsifikuara nuk ndihmojnë aspak klimën e biznesit në Shqipëri dhe marrëdhëniet që krijohen nga shteti me operatorët e tregut ekonomik:
“Nuk besoj te gjobat në asnjë mënyrë. Besoj tek një marrëdhënie mirëbesimi, transparente ku të gjithë palët vuajnë, por edhe punojnë në drejtim të një marrëdhënie më të mirë. Nuk mund të ketë të mirë dhe të këqij, në parimet e mia për ekonominë i miri është gjithnjë individi dhe kompania.” – shprehet z.Shano.
Qeveria pritet që në muajt në vijim të prezantojë projektligjin në Kuvend për ta miratuar dhe për ta bërë të ligjshëm. Nga Banka e Shqipërisë dhe komuniteti i institucioneve financiare nuk ka ende kundërshtime mbi këtë projektligj, ndërkohë që ministrja Denaj lajmëroi se regjistri është në fazat e fundit të krijimit me partnerët ndërkombëtarë dhe se zbatimi mund të fillojë që nga janari i vitit të ardhshëm.
Nga Geri Kolgega/SCAN Magazine
Lexo edhe:
Lexo numrin e plotë të revistës:
http://online.anyflip.com/sbspu/cvce/mobile/index.html#p=18
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.