Regjistrimet e fundit në Universitet, publikohet udhëzimi i ri i MASR: Kandidatët që mund të shpallen fitues, datat dhe procedura

Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin e fundit për procedurën e regjistrimit në Universitet.
Konkretisht, duke nisur nga nesër, pra më 16 tetor deri më 26 tetor, Institucionet e Arsimit të Lartë do të vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve, nëpërmjet portalit “u-albania”.
Sipas udhëzimit të Ministrisë, të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program studimi.
“Gjatë periudhës 16 deri 26 tetor, Institucionet e Arsimit të Lartë vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve, nëpërmjet portalit “u-albania” në programet e studimit të cilët kanë aplikuar në raundin e parë apo të dytë. Të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program. Institucionet e Arsimit të Lartë, gjatë regjistrimeve respektojnë renditjen e kandidatëve deri në plotësimin e kuotave. Procedurat për regjistrimin e kandidatëve përcaktohen nga njësitë kryesore të IAL-ve”, thuhet në udhëzim.
Ministria e Arsimit specifikon në udhëzim procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve në Institucionet e Arsimit të Lartë.
“Në rast se përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, njësitë bazë në institucionet e arsimit të lartë përzgjedhin kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht përzgjedhjeve në raundin e parë ose të dytë.
Kandidatët përzgjidhen dhe rankohen nga njësitë bazë dhe miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, duke njoftuar QSHA-në dhe duke i ngarkuar një kopje elektronike të këtyre listave në portalin “u-albania”. Sekretaritë mësimore regjistrojnë kandidatët e miratuar nga drejtuesi i njësisë kryesore sipas renditjes deri në plotësimin e kuotave për programet përkatëse të studimit. Regjistrimi i kandidatit, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarive mësimore nga data 16 deri më datë 26 tetor 2017, nëpërmjet dokumentacionit të përcaktuar në këtë udhëzim”
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.