Regjistrimi i biznesve, vetëm online/ COVID-19, mbyllen sportelet fizike të QKB-së
Regjistrimi dhe licencimi i bizneseve të reja pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit do të bëhet vetëm on line. Në kuadër të masave të marra nga qeveria kundër përhapjes së koronavirusit në vendin tonë, pas administratës tatimore, janë mbyllur dhe shërbimet fizike në sportelet e QKB-së.
Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, shërbimet funksionale të QKB-së, për regjistrimin dhe licencimin e biznesit, do të ofrohen vetëm nëpërmjet sportelit online.
Në këtë mënyrë ofrohen 10 shërbime, si Aplikim për regjistrim fillestar person fizik; Aplikim për ndryshim në të dhënat e regjistrimit të personit fizik; Aplikim për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raportit të auditimit; Aplikim për regjistrim të vendimeve/akte të gjykatës, zyrës përmbarimore ose autoriteteve të tjera publike; Certifikatë regjistrimi; Kërkesë për lëshim ekstrakti të thjeshtë; Kërkesë për lëshim ekstrakti historik; Aplikim për pajisje me leje/licencë; Lëshim titulli dhe revokim vullnetar.
Ndërkohë, njofton se ndërpritet edhe shërbimi në sportelin fizik qendror të Qendrës Komëbatare të Biznesit, deri në një njoftim të dytë. Për asistencë teknike ndaj subjekteve që hasin vështirësi, QKB ka vendosur numër kontakti dhe adresë emaili në dispozicion.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.