Regjistrimi i kontratës së qirasë dhe nënqirasë, procedurat dhe tarifa për marrjen e shërbimit

Të gjithë personat që duan të regjistrojnë kontratën e qirasë apo nënqirasë mund të kryejnë procedurat e mëposhtme dhe mund ta marrin këtë shërbim duke aplikuar në portalin “e-Albania”. Në një njoftim që jep detaje mbi procedurën, thuhet se çdo kontrate qiraje e bërë me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me zgjatje kohore më shumë se 9 vjet, duhet të regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit.
Kontrata e qirasë, e bërë me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me një zgjatje kohore mbi një vit, mund të regjistrohet në regjistrin e pasurisë së paluajtshme.
“Kur një kontratë qiraje është për një pjesë të një pasurie të paluajtshme, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen kartela të reja për pjesën/pjesët që është/janë dhënë me qira dhe për pjesën/pjesët e pasurisë së paluajtshme që mbetet/mbeten, si dhe bëhen shënimet përkatëse në hartën kadastrale, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 33 të këtij ligji. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në e-Albania, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër”, thuhet në portalin “e-Albania”.
Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.
Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.
Dokumentacioni i nevojshëm
– Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)
– Kopje të certifikatës së pronësisë
– Kontratë qiraje
– Kontratë nënqiraje
– Kartela e pasurisë (Kopje)
– Harta treguese e pasurisë
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
– Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi i kontratës së qirasë apo të nënqirasë”
– Klikoni butonin “Përdor”
– Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.
– Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit
– Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme
– Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.
Sipas e-Albania koha e nevojshme për marrjen e shërbimit do të jetë 2 ditë, kostoja për marrjen e shërbimit është 3500 lekë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.