Rehabilitim për qendrat e Kombinatit dhe Kinostudios – Bashkia bën gati 5 projekte në kryeqytet
Qendrat e Kombinatit, Kinostudios dhe zona “Kodra e Diellit” janë disa nga projektet që Bashkia e Tiranës po përgatit për të ndërhyrë. Bashkia ka hapur procedurat për shërbimin e konsulencës në studimin dhe projektimin e pesë objekteve të infrastrukturës rrugor, infrastrukturës arsimore dhe shërbimeve publike.
Tenderi i ndarë në 5 lote ka një fond limit prej 26.5 milionë lekësh, ndërsa afatet për projektimin variojnë nga 2 deri në 6 muaj. Dy projektet e tjera përfshijnë ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare në Arbanë, si dhe rikonstruksionin e zyrave të pritjes së qytetarëve për 11 njësitë administrative.
Rikualifikimi urban i zonës “Kodra e Diellit” pritet të kushtojë rreth 750 milionë lekë dhe punimet do të përfshijnë infrastrukturën dhe ndriçimin rrugor, rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësit, si dhe gjelbërimin e mobilimin urban.
Punimet për rehabilitimin e qendrës së Kombinatit pritet të kushtojnë rreth 195 milionë lekë. Në projektin e sheshit Garibaldi do të shikohet integrimi me një pedonale që do të ndërtohet sipër sheshit, do të rikonceptohet gjelbërimi i sheshit dhe do të rikonstruktohen kalimet ekzistuese.
Ndërkohë, projekti për rehabilitimin e qendrës së Kinostudios nuk ka ende një kosto të caktuar, por vlera do të dalë si rezultat i studimit. Ndërhyrja do të përfshijë sistemimin e rrugëve, përfshirë rrugën Aleksandër Moisiu, ndriçimin, gjelbërimin, pajisjen me stola dhe elementë të tjerë të mobilimit urban. Do të shikohet gjithashtu mundësia e ndërhyrjes në fasadat e banesave përreth sheshit.
Rikonstruksionit do t’i nënshtrohen edhe zyrat e shërbimeve publike në çdo njësi administrative, duke riardhur në formën e One Stop Shop-eve, duke i siguruar publikut një askes më të lehtë në shërbimet e ofruara.
Projekti i fundit përfshin ndërtimin e një shkolle në fshatin Arbanë në Njësinë Administrative Vaqarr. Shkolla do të pajisjet me laboratorë, bibliotekë, palestër, terrene të jashtme sportive dhe hapësira për shumë qëllime si salla mbledhjes, salla takimesh, etj.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.