Rehabilitimi i konvikteve – Miratohet marrëveshja me Gjermaninë për grantin 4.5 mln euro
Rreth 4.5 milion euro do të shkojnë për rinovimin e konvikteve të kampusit Universitar të Tiranës. Këshilli i ministrave ka miratuar marrëveshjen e 21 prillit të vitit 2016 me Gjermaninë, për ti kaluar këtë grant ministrisë së Financave.
Miratimi i marrëveshjes hap rrugën për nisjen e rinovimit të godinave, sipas parimit të Eficencës së energjisë elektrike. Ndërhyrja synon të përmirësojë ndjeshëm izolimi termik si dhe të rinovohet sistemi ngrohës një problem i hasur prej vitesh në këto godina.
Krahas kësaj pritet që të investohet në pajisjet sanitare si edhe ndërtimi i kuzhinave dhe dhomave të reja që do i ofrohen të rinjve për të studiuar. Sipas marrëveshjes, faza për ndërhyrjen parashikohet të filloj brenda vitit 2018 dhe të zgjasë 18 deri në 24 muaj.
Në maj të viti të kaluar u nënshkrua dhe një tjetër marrëveshje mes ministrit të energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri me ambasadoren gjermane në Tiranë Susanne Schutz për një tjetër grant me vlerë dy milion euro i cili pas miratimit do të shkojë për financimin e fazës së dytë të ndërhyrjes.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.