Rehabilitimi i qendrave shëndetësore – Fier, 75 mijë euro nga projekti “Shëndet për të gjithë”
Me një vlerë prej 75 mijë euro është rikonstruktuar qendra shëndetësore në Libofshë. Nga ky financim pritet që të përfitojnë rreth 10 mijë banorë.
Në inaugurimin e qendrës ka qenë e pranishme edhe Ministrja e Shëndetësisë e cila u shpreh se edhe në 300 qendrat e tjera shëndetësore në të gjithë vendin do të kryhen investime të tilla.
“Qendra e rehabilituar e Libofshës garanton sot shërbim me standarde, afër vendbanimit për 10 mijë banorët e kësaj zone. Ky është një model i qendrave shëndetësore që duam të shtrijmë në të gjithë vendin me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite. Model i integruar i rehabilitimit të infrastrukturës, pajisjes së mjekëve dhe infermierëve me çantat që përmbajnë pajisjet e nevojshme si dhe trajnimi i tyre”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Ky investim ishte pjesë e projektit ‘Shëndet për të Gjithë’ i cili ka bërë të mundur të kemi 6 qendra model në qarkun e Dibrës dhe Fierit.
“Përmirësojmë infrastrukturën me rikonstruksionin edhe të 12 qendra të tjera që janë në proces në zonat e thella të Dibrës dhe Fierit, por rehabilitimi i qendrave shëndetësore me këtë bashkëpunim –bashkëfinancim i Qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim– do të shtrihet së shpejti edhe në Tiranë me rehabilitimin e Qendrave Shëndetësore Sauk dhe Vorë”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Tetë qendra të tjera shëndetësore janë në proces rehabilitimi në qarkun e Fierit, dy në Tiranë dhe dy në Dibër, në kuadër të projektit ‘Shëndet për të Gjithë’, në vijim të bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.