Rehabilitimi i Lumit të Bunës – Fondacioni MAVA, 2 mln euro për ta kthyer në destinacion turistik
Lumi Buna, së shpejti do t’i shtohet destinacioneve turistike në vendin tonë. Projekti “Mbrojtja e Deltës së Lumit Buna”, financuar nga fondacioni MAVA me vlerë 2 milionë euro, parashikon zbatimin e Planit të Menaxhimit të kësaj zone të mbrojtur.
Gjatë lançimit të programit të rehabilitimit, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga Velipoja deklaroi se projekti do të mundësojë ngritjen e plazheve pranë brigjeve të lumit.
“Programi jonë për të pasur një ofertë të përbashkët me vendet e rajonit, sëbashku me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe vende të tjera, të bëjmë të mundur që këto zona ti ofrojmë si destinacione turistike për turistët.Është e nevojshme që në këto zona të shtojmë hotelet me 4 dhe 5 yje, zhvillimin e agroturizmit në zonën e Velipojës, gjë që në vitin 2018 do të dyfishojë vizitorët në këtë zonë. Qeveria shqiptare po vazhdon investimet jo vetëm për zhvillimin e politikave të turizmit por dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona”, tha Klosi.
I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i punëve të jashtme dhe Europës, Ditmir Bushati shtoi se po ndërmerren disa hapa për ta rigjallëruar këtë zone, sikurse është edhe përfundimi i rrugës së Velipojës. Bushati shtoi se këto projekte janë konceptuar në mënyrë integrale së bashku me projektin e liqenit që po diskutohet me palën malazeze, i cili do të mbështetet dhe nga fondet e BE-së, për të krijuar mundësinë që kjo zonë të kthehet në një destinacion për turistët shqiptar dhe të huaj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.