“Rehabilitohet” HEC Koman – Çfarë parashikojnë 3 tenderat e shpallur nga KESH? Fondi dhe detajet
KESH ka shpallur 3 tendera në Agjencinë e Prokurimit Publik për HEC Koman. Në total, fondi i investimit është në vlerën 435.4 milionë lekë, i ndarë në 3 “destinacione” të ndryshme.
Tenderi i parë me fond 116.7 milionë lekësh do të shkojë për rehabilitimin e rrugës së aksesit për te kullat e ekuilibrit. Sipas detajeve, parashikohet rikonstruksioni total i elementëve konstruktive të shtratit të rrugës, infrastrukturës përreth, rikonstruksionin e sheshit te kullat e ekuilibrit, sistemin e ndriçimit, largimin e ujërave, etj.
Afati kohor për ekzekutimin e projektit, referuar dokumentacionit të tenderit, është 4 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Tenderi i dytë për HEC Koman do të jetë në funksion të rehabilitimit të tuneleve dhe galerive ndihmëse të digës, me një fond prej 86 milionë lekësh dhe afat 7 mujor për ekzekutim të projektit.
“Bazuar në kushtet teknike të ndërtimit dhe të shfrytëzimit të digave, të sigurimit teknik të personelit dhe mjeteve që operon në to, kërkohet që të sigurohet akses i plotë dhe i sigurtë në çdo kohë dhe situatë në këto tunele dhe galeri, që të mos rrezikohet askush dhe asgjë gjatë lëvizjeve në objekt, pasi kemi të bëjmë me jetë njerëzore, paisje dhe makineri që kanë vetëm këtë mundësi operimi apo transporti dhe lëvizje të tyre në objekt” specifikohet në detajet e tenderit të dytë.
Tenderi i tretë nga ana tjetër, ka një fond 232 milionë lekë, për mbilartësimin dhe ndërtimin e pritave malore në përroin e Lerinit dhe Bugjonit, me një afat ekzekutimi prej 15 muajsh.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.