Reklamat online – Google do të gjurmojë edhe kartat e kreditit
Google është i njohur dhe i kritikuar nga shumë për ruajtën e historikut të blerjeve të një përdoruesi online. Platforma e reklamave e gjigandit të internetit monitoron aktivitetin online të çdo përdoruesi, duke nxjerrë informacione të dobishme për reklamuesit.
Tanimë Google po planifikon të shtrijë monitorimin edhe në jetën reale, duke gjurmuar me miliarda karta krediti dhe debiti. Google thotë se të dhënat e mbledhura do të jenë anonime dhe do të shërbejnë vetëm për të krahasuar reklamat online me paratë e shpenzuara offline.
Fushatat vijuese të reklamave të Google do t’i ofrojnë mundësinë reklamuesve të shohin se sa shitje gjenerojnë këto fushata në jetën e përditshme.
“Konceptin për këtë projekt e kemi zhvilluar para një viti, por janë dashur vite të tëra përpjekje për zhvillimin e një zgjidhjeje që plotëson kërkesat e përdoruesit për privaci. Për këtë qëllim kemi zhvilluar një teknologji të re enkriptimi që siguron se të dhënat do të qëndrojnë private, të sigurta dhe anonime”, thuhet në deklaratën e Google.
Motori i kërkimit thotë se disponon informacione për rreth 70% të të gjitha kartave në SHBA, por nuk ka treguar se kush janë partnerët e tij. Këto të dhëna do t’u bashkangjiten atyre të mbledhura nga shërbime si AdWords, Analytics dhe DoubleClick Search.
Google do të mbledhë informacion edhe nga celularët, për të zbuluar nëse përdoruesi ka shkuar në dyqan, pasi sheh një reklamë.
Të ardhurat nga reklamat online për Google, arritën 21,4 miliardë dollarë, në rritje me 19% nga viti i kaluar. Bindja e reklamuesve se përfitojnë edhe në blerje në jetën reale pritet të rrisë më tepër fitimet e kompanisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.