Rekomandimi bashkon politikën – Vlahutin: Konsensusi dhe thellimi i reformave ju çojnë në BE
Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin i ka paraqitur Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe atij për Politikën e Jashtme raportin e Komisionit Europian për rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim. Vlahutin ka bërë një parite të hollësishme të raportit dhe ka kërkuar nga politika shqiptare që të ketë konsensus për të arritur tek hapja negociatave në qershor. Sipas ambasadores së BE-së, vendi duhet të vijojë me thellimin e reformave e në të njëjtën kohë në aspektin ekonomik duhet të ketë më shumë transparencë sa i përket partneritetit publik – privat.
“Rekomandimi pa kushte shpreh opinionin e Komisionit Europian se Shqipëria ka arritur nivelin për hapjen e negociatave, edhe pse ka ende shumë punë për të bërë. Vendi duhet të vijojë punën me thellimin e reformave që ka nisur. Ndërsa politika duhet të gjejë konsensus me vepra dhe jo me fjalë, që në qershor vendi të marrë vendimin pozitiv nga të gjithë vendet anëtare të BE për hapjen e negociatave. Në aspektin ekonomik duhet të ketë më shumë transparencë sa i përket PPP-vë.”
Ndërkohë opozita ka thyer bojkotin pasi kishte paralajmëruar që këtë javë nuk do të merrte pjesë në Komisionet Parlamentare. Sipas kreut të Komisionit Parlamentar të Integrimit Genc Pollo, Shqipëria në tre vitet e fundit ka marrë një vlerësim të qëndrueshëm. Komisioni vlerëson me pesë pikë maksimale shtete për punën e bërë ë plotësimin e kushteve apo prioritete, Shqipëria ka marrë vlerësimin me tre pikë për administratën dhe me 2 pikë për drejtësinë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.