Rekord botëror për emigrantët – Raporti i BB, të 10-ët në botë, por humbasim deri në 10% nga remitancat

Shqipëria është vendi i 10-të në botë për nga numri i emigrantëve, në raport më popullsinë, thotë një raport i sapopublikuar i Bankës Botërore në bashkëpunim me projekte të ndryshme për zhvillim nga vende si Gjermania, Zvicra apo Suedia, që mban titullin: Remitancat me migrimi, trendet dhe projeksionet. Raporti thotë se, emigrantët shqiptarë nëpër botë janë sa 41% e popullsisë së Shqipërisë, duke i dhënë kështu vendit një përfaqësim në listën e 10 vende më emigruese në botë.
Në listë janë edhe dy vende të tjera europiane, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi. Të dhënat në raport i referohen vitit 2017. Sa i përket remitancave dhe peshës që zënë në ekonomi, me një normë në 10.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, Shqipëria mban vendin e 8-të më të lartë në Europë. Kosova dhe Bosnje Hercegovina kanë një varësi më të lartë nga remitancat sesa Shqipëria thotë raporti, ndërkohë që edhe Mali i Zi dhe Serbia, dy ekonomitë më të zhvilluara të Ballkanit Perëndimor, kanë një varësi mjaft të lartë, pranë niveleve të Shqipërisë.
Por ndërkohë që Shqipëria kë një emigrim të lartë, ndër më të lartët në botë dhe një varësi të lartë ekonomike ndaj dërgesave të këtyre emigrantëve, kostot e këtyre dërgesave nuk janë të papërfillshme. Madje, një ndër këto itinerare, ai nga Britania e Madhe në Shqipëri konsiderohet si një ndër 5 më të shtrenjtët në Europë.
Një emigrant shqiptar në ishull duhet të paguajë 10% të dërgesës së tij si kosto shërbimi për t`i çuar para të afërmëve të tij në Shqipëri thotë raporti. Për fat të mirë, Britania zë një vend jo të rëndësishëm në “tortën” e remitancave që hyjnë në Shqipëri. Vendet e tjera të rajonit nuk figurojnë në listën e itinerareve më të shtrenjta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.