Rekord infektimesh me Covid-19 në botë – Numri total i të prekurve kalon 281 milionë, që kur filloi pandemia
Numri total i infektimeve me Covid-19 në të gjithë botën ka kaluar 281 milionë, ndërsa vdekjet nga sëmundja kanë kaluar 5.4 milionë, referuar të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prekur në total 53.6 milionë persona, ndërsa numri i viktimave është rreth 822 mijë. Gjithashtu, edhe mesatarja javore e rasteve të reja ka prekur nivelin më të lartë që kur filloi pandemia. Në 24 orët e fundit, Britania raportoi një rekord infektimesh prej mbi 183 mijë, duke e çuar totalin e rasteve me Covid019 në vend, në mbi 12.5 milionë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu, se 90% të rasteve tashmë janë me variantin omicron të koronavirusit, duke u bërë kështu varianti dominant. Ndërkohë, kryeministri i britanik, Boris Johnson, deklaroi se mbi 90% të të shtruarve të spitale janë të pavaksinuar apo që nuk kanë marrë dozën mbështetëse. Ai përmendi rëndësinë e vaksinimin, duke këmbëngulur se është e vetmja mënyrë për të shijuar Vitin e Ri. Edhe Franca raportoi një rekord ditor që kur filloi pandemia, prej mbi 208 mijë raste të reja në 24 orët e fundit.
“Kjo do të thotë se mesatarisht çdo sekondë, dy francezë rezultojnë pozitivë”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, gjatë një dëgjese në Asamblenë Kombëtare franceze. Në Gjermani, situata paraqitet më e mirë, me rreth 40 mijë raste të reja, ndërsa totali i të infektuarve ka arritur në rreth 7 milionë. Në këtë situatë, shumë qeveri po shtrëngojnë masat kufizuese, si në rastin e Greqisë.
Të hënën, autoritetet në vendin fqinj raportuan mbi 9,200 raste të reja ditore, që ishte numri më i lartë që kur filloi pandemia. Por, të martën dhe të mërkurën, Greqia konfirmoi mbi 21 mijë raste dhe mbi 28 mijë raste respektivisht. Për këtë arsye, ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, i bëri thirrje njerëzve t ë shmangin grumbullimet për Vitin e Ri, në mënyrë që të shmangin përhapjen e virusit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.