Rekord remitancash në Kosovë – Në katër muajt e parë të vitit u dërguan nga emigrantët 315,5 milionë euro

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë kanë shënuar një tjetër record në këtë muajt e parë të vitit 2022. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, rezulton se shuma totale e remitancave ka qenë 315,5 milionë euro, ose 18 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë katër mujorit, vlera më e lartë ishte gjatë muajit prill me 110.1 milionë euro.
Sipas kanaleve të dërgimit, rreth 220 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parave, ndërsa pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.
Për sa i përket dërgesave të emigrantëve sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë hyrë në Kosovë 40% e remitancave, ndjekur nga Zvicra me 18.5% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8%.
Gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 143 milionë euro. Pavarësisht masave të pandemisë COVID-19, vlera ishte 163.9 milionë euro më shumë se viti 2020. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë janë dërguar rreth 13 miliardë euro nga emigrantët. Remitancat zënë rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës.
Shuma e remitancave sipas viteve në Kosovë
Viti Shuma
2008 858 milionë euro
2009 865 milionë euro
2010 825 milionë euro
2011 814 milionë euro
2012 775 milionë euro
2013 867 milionë euro
2014 901 milionë euro
2015 796 milionë euro
2016 808 milionë euro
2017 911 milionë euro
2018 1.13 miliard euro
2019 1.23 miliard euro
2020 980 milionë euro
2021 1.14 miliard euro
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.