Rekord riatdhesimi nga Gjermania – Të dytët në listë me rreth 400 raste në tremujorin e parë
Mediat gjermane bëjnë me dije se edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti ka vijuar riatdhesimi i azilkërkuesve në vendet e tjera, jo domosdoshmërisht të origjinës.
Shqiptarët nuk kishin si të mungonin në listë, dhe vijojnë të mbeten europianët e parë, me 389 raste riatdhesimi gjatë tre muajve të parë të vitit. Në total bëhet fjalë për 5613 raste, dhe shqiptarët zënë 6.9%. Në vend të parë renditet Italia, me 600 riatdhesimi, të cilët janë thuajse të gjithë emigrantë dhe refugjatë nga vendet afrikane dhe të lindjes së mesme. Pas Italisë ndjekin vendet e Magrebit me rreth 400 raste dhe më pas vjen Shqipëria, rrjedhimisht vendi i dytë në listë pas Italisë dhe i pari po të kemi parasysh se, ndryshe nga Italia, Shqipëria është një vend origjine, pra jo një vend tranziti i refugjatëve dhe emigrantëve.
Gjermania vijon të mbetet një vend i preferuar nga shqiptarët, paçka se kërkesat për azil në vend kanë rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, rrjedhojë e shtrëngimit të rregullave dhe klasifikimit të Shqipërisë si një vend i sigurt origjine. Por, edhe pse bindshëm më pak në numër, shqiptarët duket se vijojnë të mbajnë rekorde në këtë drejtim. Të dhënat më të fundit tregojnë se, në Gjermani jetojnë dhe punojnë rreth 55 mijë shqiptarë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.