Remitancat, brenda 10 viteve në Kosovë janë dërguar rreth 6 mld Euro
Gjatë 10 viteve të fundit, shtetasit nga Kosova të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës kanë dërguar në Kosovë rreth 6 miliardë Euro. Kështu ka raportuar sot gazeta “Zëri” në Kosovë, ku thekson ndër të tjera se paratë janë dërguar më së shumti përmes bankave apo agjencive të transferimit të parave.
Ekspertët e ekonomisë në vend kanë raportuar gjithashtu se të ardhurat nga shtetasit jashtë Kosove kanë qenë shumë herë më shumë. Dërgesat nga diaspora vlerësohen të jenë të barabarta me shumën e pagave të të gjithë punëtorëve të sektorit publik dhe privat.
“Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2016 nga diaspora në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur rreth 566,7 milionë euro. Po kështu gjatë vitit 2015 në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur 655 milionë euro, ku 121 milionë euro kanë ardhur përmes bankave, 281 milionë euro përmes agjencive për transferimin e parave, si dhe 225 milionë euro përmes rrugëve të tjera. Gjatë vitit 2014 në Kosovë sipas BQK-së në formën e dërgesave kanë ardhur 622 milionë euro, në vitin 2013 kanë ardhur 573 milionë euro, në vitin 2012 kanë ardhur 516 milionë euro, në vitin 2011 në Kosovë kanë ardhur 492 milionë euro, në vitin 2010 kanë ardhur 584 milionë euro, në vitin 2009 në Kosovë kanë ardhur 585 milionë euro, në vitin 2008 në Kosovë kanë ardhur 608 milionë euro, si dhe në vitin 2007 sipas të dhënave zyrtare të BQK-së nga shtetasit nga Kosova që jetojnë jashtë vendit janë dërguan 515 milionë euro” raporton gazeta Zëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.