Remitancat, Guvernatori i Bankës së Kosovës: Diaspora duhet bindur për të investuar në vend
Bedri Hamza, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës ka folur në një intervistë me FMN për nevojat që ka ekonomia vendase për investime.
Rritja e Kosovës mbështetet mbi remitancat që vijnë nga diaspora, e cila përbën një të tretën e popullsisë së vendit. Megjithatë, po këto remitanca rrezikojnë të zbusin vullnetin e njerëzve për të investuar në edukim, apo për të kërkuar punë.
“Remitancat kanë rezultuar në rritjen e konsumit, si edhe investime, por kryesisht në pasuri të paluajtshme. Ka ardhur koha që të vlerësojmë se si mund t’i drejtojmë remitancat në investime dhe gradualisht të mund t’i zëvendësojmë me prodhim të brendshëm. Kjo është e nevojshme pasi, siç ndodh zakonisht, lidhjet mes familjeve të largëta prishen me kalimin e kohës, ndaj është shumë e mundshme që këto remitanca të fillojnë të ulen”, tha Hamza.
Por, strategjia e shtetit për tërheqjen e investitorëve nga diaspora duket se është e njëjtë me atë për investitorët e huaj dhe përpjekjet për t’i bindur të investojnë kapitalin e tyre janë të vështira.
“Disa kosovarë kanë zhvilluar ndërmarrje të suksesshme në vendet ku jetojnë dhe mund të investojnë kapitalin dhe dijen e tyre në Kosovë. Ne e inkurajojmë këtë gjë duke ofruar norma të ulëta taksash. Kraha kësaj, Kosova ka një forcë pune të bollshme, të re dhe të mirëkualifikuar, e cila është më e lirë se kudo gjetkë”, u shpreh Guvernatori.
Ndërkohë, sipas tij, sektorët ku duhet të përqendrohen investimet janë agrikultura, energjia dhe minierat. Ka një synim për të forcuar edhe turizmin alpin, megjithatë fokusi kryesor janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.