Rendi i ditës në seancën e sotme parlamentare – Interpelancë me Kumbaron dhe shtyrje për tapitë e tokave bujqësore
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit do të diskutohen disa projektligje e vendime të Këshillit të Ministrave, por më i rëndësishmi mes tyre është ai që përcakton shtyrjen e afatit për titujt e pronësisë mbi tokat bujqësore.
Qeveria ka vendosur të shtyjë vlefshmërinë e procesit me 6 muaj të tjera, duke e zhvendosur limitin kohor nga 31 Dhjetori 2017 në 31 Korrik 2018.
Votimi për këtë projektligj do të paraprihet nga një interpelancë më Ministren e Kulturës, Kumbaro, kërkuar nga deputeti i PS, Alket Hyseni. Ministrja do të shprehet mbi projektet e ndërtimit të Qendrës Multifunksionale të Shërbimit dhe këndit SAL në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Në rend dite janë edhe dy projektligje për ratifikimin e dy marrëveshjeve. Njëra ka të bëjë me huanë e marrë nga Fondi Saudit për Zhvillim për të financuar “rehabilitimin e rrugës së Lumit të Vlorës”, ndërsa tjetra ka të bëjë me marrëveshjen e huasë mes OST dhe KfW për projektin e Linjës së Transmetimit 400 kv Shqipëri-Maqedoni.
Në fund të seancës, para diskutimeve jashtë rendit të ditës pritet të miratohen edhe dy vendime të Këshillit të Ministrave për lirimin e anëtarit Piro Xhixho nga AKEP dhe një projektvendim për procedurën e përzgjedhjes së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.