Rënia e zjarreve – EC: Gjatë 24 orëve konstatohen 5 vatra të reja zjarri

Vijon të mbetet problematike situata me zjarret në vendin tonë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 5 vatra të reja zjarri në pyje e kullota në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Zjarri i ndihmuar edhe nga temperaturat e larta ka djegur në total mbi 7 ha shkurre, ferra dhe pisha.
Sipas drejtorisë së Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, specialistët janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Qarqet më të dëmtuara gjatë orëve të fundit kanë qenë Tirana, ku në fshatin Zhuri, Njësia Administrative Ndroq, zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 3 ha me shkurre dhe ullishte.
Po ashtu edhe në Gjirokastër Në fshatin Suk, zjarri ka djegur një sipërfaqe pyjore me lisa prej 3 ha. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.