Rënie e efektshmërisë së vaksinës në Izrael / Infektimet, rreth 55% e rasteve ishin të vaksinuar. Mbrojtje e fortë nga shtrimi në spital

Izraeli ka regjistruar një rënie të madhe të efektshmërisë së vaksinës së Pfizer dhe BioNTech në parandalimin e infeksionit të Covid-19, për shkak të përhapjes së variantit delta dhe zbutjes së masave të karantinës, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Paralelisht, rënia në mbrojtjen kundër rasteve serioze dhe shtrimit në spital, është shumë më e butë, sipas raportimeve. Të dhënat tregojnë se nga 2 Maji më 5 Qershor, vaksina ka pasur një efektshmëri në 94.3%. Nga 6 Qershori, 5 ditë pasi qeveria anuloi masat e karantinës, deri në fillim të Korrikut, norma e efektshmërisë ra në 64%. Rënie e ngjashme është regjistruar në mbrojtjen kundër simptomave të Covid , sipas raportit. Megjithatë, mbrojtja kundër shtrimit në spital dhe sëmundjes së rëndë ka mbetur e fortë. Nga 2 Maji deri më 5 Qershor, norma e parandalimit të shtrimit në spital ishte 98.2%, krahasuar me 93% nga Qershori në Korrik. Këto të dhëna janë në linjë me publikimet e Ministrisë së Shëndetësisë, që tregojnë se shumë raste të reja po raportohen tek njerëzit e vaksinuar, ndërkohë që numri i rasteve serioze po rritet shumë më ngadaltë. Të Premten e kaluar, 55% e të infektuarve të rinj ishin vaksinuar. Deri më 4 Korrik, kishte 35 raste serioze të Covid në Izrael, krahasuar me 21 më 19 Qershor. Qeveria po konsideron rivendosjen e disa masave të karantinës dhe zyrtarët po diskutojnë gjithashtu për një dozë të tretë të vaksinës. Ekzekutivi i Pfizer, Albert Bourla, ka thënë se njerëzit do të kenë nevojë me shumë gjasa për një dozë të tretë të Covid brenda 12 muajve të vaksinimit të plotë. Izraeli ka pasur një nga programet me të suksesshme të vaksinimit Rreth 57% e popullsisë së plotë është vaksinuar me 2 doza, përfshirë 88% të personave në moshë 50-vjec e sipër, që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.