Republikanët “braktisin” Trump – Dështon reforma në shëndetësi, mungojnë votat në senat

Donald Trump nuk e ka mbështetjen e republikanëve për të aprovuar në Senat reformën shëndetësore që do të zëvendësojë Obamacare.
Trump gëzon mbështetjen e vetëm 52 republikanëve nga 100 në Senat ndërkohë që vota e demokratëve nuk vihet aspak në diskutim.
Së fundmi kanë qenë dy senatorë që i kanë dhënë goditjen përfundimtare shpresave të Trump. Kjo është hera e dytë që kjo reformë dështon.
Kreu i republikanëve në Senat e konfirmoi mungesën e votave, por shtroi qartë strategjinë që do të ndjekin.
Tashmë republikanët do të hedhin në votim anulimin e plotë të Obamacare, që do t`i japë vendit 2 vite kohë për të krijuar një sistem të ri.
Gjatë këtyre dy viteve, republikanët që mbështesin linjën e Trump shpresojnë që t`i ndryshojnë mendjen atyre që janë kundër reformës së Trump në shëndetësi.
Ky i fundit ndërkohë reagoi në Twitter në lidhje me ndodhitë e fundit në Senat, duke mos e fshehur kështu nervozizmin.
Dështimi i reformës në shëndetësi, një kal beteje i vjetër mes republikanëve dhe demokratëve që gjatë mandatit të parë të Obamës, tregon edhe njëherë se Donald Trump ka një mbështetje të vogël nga legjislativi, paçka se kontrollohet nga republikanët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.