Reshjet e shiut ndihmojnë në fikjen e zjarreve – EC: 6 vatra në 4 qarqe të vendit

Rënia e ndjeshme e temperaturave ditët e fundit dhe reshjet kanë ndihmuar në normalizimin e situatës së zjarrevë në të gjithë vendit. Emergjencat Civile njoftojnë sot se në 24 orët e fundit janë shënuar vetëm 6 vatra zjarri në qarkun Shkodër, Lezhë, Berat dhe Korçë.
Në një pjesë të mirë të këtyre vatrave, terreni i thyer pengon ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses, por operacionet po vijojnë me ndihmën e forcave të armatosura të ushtrisë dhe disa helikopterëve.
Puna për shuarjen e flakëve vijon sot në fshatin Karmë të bashkisë Vau i Dejës, ku forcat zjarrfikëse të Vau të Dejës dhe Pukës po asistohen nga 30 forca ushtarake dhe forca të pyjores. Zjarri në këtë fshat ka djegur një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe pisha.
Në Velipojë, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri ka punuar deri në mbrëmje për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të mos i lejuar të përhapen në pyllin me pisha, ndërsa sot pritet shuarja e plotë e flakëve.
Puna po vijon po ashtu edhe në fshatin Bogë, në bashkinë Malësia e Madhe, ku zjarri është riaktivizuar me përmasa të mëdha.
Në qarkun e Lezhës zjarrfikësit kanë arritur të izolojnë në orët e para të mbrëmjes së djeshme vatrat e zjarrit në fshatin Nënshetaj në Mirditë. Ky zjarr, i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar banesat, shkollën 9-vjeçare, kishën e fshatit dhe pyllin me pisha. Në ndihmë të këtij operacioni kanë ardhur 1 automjet zjarrfikës i ushtrisë dhe 1 i Tunelit të Kalimashit, si edhe 1 helikopter.
Në Berat, në fshatin Otllak, zjarri ka djegur 2 hektarë me shkurre dhe 80 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.
Ndërkohë, vatrat në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” në bashkinë e Korçës është shuar nga reshjet e shiut. Forcat e pyjores kanë mbajtur në monitorim gjatë natës vatrat e zjarrit. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pyll pishe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.