Reuters/ Gjykata e BE deklaron se marka tregtare me tre shirita Adidas është e pavlefshme
Gjykata e dytë më e lartë e Bashkimit Europian vendosi të mërkurën se brand-i me tre shirita i Adidas ishte i pavlefshëm si një markë tregtare pasi ajo nuk kishte një karakter dallues. Gjykata e Përgjithshme e BE tha se mbështeste vendimin e Zyrës Europiane të Pronësisë Intelektuale (EUIPO) në 2016 për të anuluar një vendim të mëparshëm për pranimin e markës.
Kompania gjermane e mallrave sportive regjistroi markën në 2014 për veshje, këpucë dhe kapele, duke thënë se ajo përbëhej nga “tre vija paralele të baraslarguara të aplikuara në produkt në cilindo drejtim”. Lidhur me këtë, ajo pati përplasje me kompaninë belge Shoe Branding Europe, me të cilën Adidas ka qenë në një mosmarrëveshje prej dhjetë vjetësh.
Një gjykatë e BE-së shpalli të pavlefshme vitin e kaluar markën me dy shirita të firmës Shoe Branding, duke thënë se imazhi ishte shumë i ngjashëm me markën tregtare të Adidas. Kjo e fundit duhet të tregonte se shenja kishte fituar një “karakter dallues” në të gjithë Bashkimin Europian si rrjedhojë e përdorimit të saj masiv, në mënyrë që konsumatorët në thelb të dinin menjëherë kur një produkt ishte nga Adidas dhe ta dallonin atë nga produktet e një kompanie tjetër.
Gjykata tha se shenja nuk ishte një model, por një “shenjë e zakonshme figurative” dhe nuk ishte relevante të merreshin parasysh përdorimet specifike që përfshijnë ngjyrat. Ajo tha gjithashtu se kompania ka ofruar dëshmi lidhur me përdorimin e markës në pesë vende të BE por jo përgjatë tërë bllokut. Adidas ende mund të apelojë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.