Reuters: Serbia po i drejtohet teknologjisë për të dalë nga “ngecja” ekonomike
Serbia, një vend që pretendon se shpikësi Nikola Tesla është një prej bijve të saj më të famshëm, po shikon teknologjinë si mundësinë për të nxjerrë veten nga situata “e ngrirë” ekonomike ku ndodhet që prej viteve ’90.
Reuters shkruan se “edhe pse një “lojtar” i vogël jo vetëm në rang global por edhe në atë të Europës Perëndimore, Serbia tani gjeneron 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të saj nga teknologjia e informacionit.Eksportet e teknologjisë janë me vlerë 1 miliardë euro deri tani këtë vit, nga rreth 900 milionë euro në 2017, duke e vendosur atë në tre sektorët kryesorë të eksportit krahas makinerive dhe bujqësisë, sipas Ministrit të Financave Sinisa Mali.
Kompanitë serbe po prodhojnë programe kompjuterike për industritë që variojnë nga bujqësia në mjekësi, sikurse lojëra në internet apo testime. Ata gjithashtu po drejtojnë Call Centera dhe linja për asistencë ndaj klientëve. Ekonomia e Serbisë pritet të rritet 4 për qind këtë vit, sipas Bankës Qendrore, nga 2 për qind në vitin 2017. Eksportet neto të gjitha shërbimeve nga vendet kandidate të Bashkimit Europian u rritën me një normë vjetore prej 23.2 për qind në gjysmën e parë të vitit 2018, të nxitura nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe shërbimet e biznesit.Në sektorin e teknologjisë së Serbisë nga 700 kompani ne 2006, në vitin 2017 kishte mbi 2.000 kompani, sipas një analize të publikuar këtë vit nga Komisioni i Qeverisë për Mbrojtjen e Konkurrencës, gjë e cila ka sjellë në dyfishimin e të ardhurave në 1.5 miliardë euro.
Nën udhëheqjen e Ana Brnabic, kryeministres 42-vjeçare serbe, e cila njihet edhe për aftësitë sipërmarrëse, Serbia po rrit përkrahjen për teknologjinë dhe po i bën thirrje shumë kombeve të huaja që të ngrenë aty kompanitë e tyre.Si pjesë të strategjisë së saj, Serbia po i tërheq investitorët e huaj me statusin e “pagave të ulëta” që ka si edhe duke ofruar subvencione deri në 10 mijë euro për punonjës.
“Informacioni, teknologjitë e përparuara dhe axhendat dixhitale janë e ardhmja e ekonomisë tonë” –tha presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç për Reuters
“Sektori IT i Serbisë është produkt i inteligjencës tonë…ne duhet të vazhdojmë të trajnojmë në këtë sektor sa më shumë njerëz të jetë e mundur” – shtoi ai
Ndërmarrjet kryesore, duke përfshirë Microsoft, IBM dhe Intel, kanë themeluar qendrat e zhvillimit në Serbi ose kanë i kanë dhënë punë firmave lokale, duke ofruar paga që janë më shumë se tre herë më të larta se paga mesatare mujore e vendit prej 420 eurosh, por më të ulëta se ato në vendet e Bashkimit Europian.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.