Revolucion në Zimbabve, ushtria merr kontrollin – “Jo grusht shteti, tranzicion pa gjakderdhje”
Forcat e armatosura të Zimbabves kanë marrë në dorë pushtetit mëngjesin e ditës së mërkurë, duke vënë nën shënjestër “kriminelët” rreth presidentit Robert Mugabe. Megjithatë, ushtria, e cila ka zaptuar edhe televizionin shtetëror, siguron se ish-lideri tashmë 93-vjeçar dhe familja e tij janë “shëndoshë e mirë”.
Ushtarë dhe mjete të blindura bllokuan rrugët drejt zyrave qendrore të qeverisë, parlamentit dhe gjykatave në qendër të Harares. Në kryeqytet janë dëgjuar gjithashtu të shtëna armësh dhe artilerie në pjesët veriore.
“Po targetojmë vetëm kriminelët rreth tij, të cilët po kryejnë krime që po shkaktojnë vuajtje sociale dhe ekonomike në vendin tonë, në mënyrë që t’i dërgojmë përpara drejtësisë”, tha një nga zyrtarët ushtarakë.
Ushtria deklaron se situata pritet të kthehet në normalitet menjëherë pas plotësimit të misionit për arrestimin e keqbërësve.
Sipas partisë Zanu PF, president i përkohshëm është bërë Emmerson Mnangagwa, 75-vjeçari, i cili ishte shkarkuar nga detyra e tij si zëvendëspresident, pasi qeveria dalloi në të “shenja mosbesnikërie”.
Vendimi për heqjen e tij në atë kohë u komentua si përpjekje e gruas së presidentit Mugabe, Grace, e cila donte të ndiqte hapat e burrit të saj si lider i Zimbabves.
Ishte rivaliteti mes zonjës Mugabe dhe Mnangagwa që krijoi përçarje brenda partisë në pushtet, ndërsa muajin e kaluar, Grace kishte paralajmëruar për një grusht shteti të mundshëm.
“As Zimbabve as ZANU nuk janë në pronësi të Mugabes dhe gruas së tij. Sot nis një epokë e re dhe bashkëluftëtari Mnangagwa do të na ndihmojë të arrijmë një Zimbabve më të mirë”, shkruan një nga deklaratat e partisë në Twitter.
Sakaq, ekspertët dhe analistët hedhin poshtë pretendimin e ushtrisë se nuk ka ndërmarrë një grusht shteti, por kanë vendosur mos ta quajnë kështu pasi emri “nuk shet”.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.