Revolucioni i ekonomisë së bashkëpunimit

*Eron ANGJELE
Zhvillimi i vrullshëm i ekonomisë së bashkëpunimit po ushtron presion të fortë në ekonominë botërore. Ai po kontribuon në ndryshimin e modelit ekonomik, nga ekonomia e shekullit të njëzetë, ku firmat akumulonin lëndët e para, mjetet e prodhimit dhe burimet njerëzore për të prodhuar, drejt modelit ekonomik të shekullit të njëzetë e një, ku secili prej nesh ka mundësi të përdorë lirshëm mjetet e prodhimit të pashfrytëzuara nga dikush tjetër.
Teknologjia krijon mundësi të ulen barrierat e hyrjes në një biznes dhe të ulë koston e prodhimit dhe të shërbimeve. Ekonomia e bashkëpunimit mund të konsiderohet si revolucioni industrial në fushën e shërbimeve. Mënyra e re e funksionimit të ekonomisë po ushtron presion të vazhdueshëm në rënien e çmimeve. Kjo tendencë dezinflacioniste pritet të vazhdojë në vitet e ardhshme. Aktualisht ai është nën 2%.
Niveli i ulët i inflacionit botëror ndikon negativisht në perspektivat e përqindjeve të interesave në ekonomi, në rendimentet e aktiveve financiare, në perspektivat e rritjes ekonomike dhe në investimin. Me terma të tjera, nuk pritet një rritje ekonomike e fortë si në vitet 2000, sepse përdorimi më optimal i burimeve ekzistuese ul kërkesën për mallra të reja. Detyrimisht kjo ndikon perspektivat e investimit që nuk shoqërojnë si më parë rritjen e kërkesës, sepse parashikohet që një pjesë e kërkesës të plotësohet nga një përdorim më intensiv i sasisë ekzistuese të mallrave dhe shërbimeve. Si rezultat, paraja investohet më tepër në aktive financiare me rrezik të ulët dhe me rendiment të ulët. Tjetër ndikim është ndryshimi i organizimit dhe funksionimit të tregut të punës.
Rritet vetëpunësimi
Ekonomia e bashkëpunimit rrit numrin e të vetëpunësuarve. Në USA, në 1997 numëroheshin 15 milionë të vetëpunësuar, në 2014 numërohen 24 milionë. Ekonomia e bashkëpunimit u siguron 50% të të ardhurave. Kjo tendence pritet të vazhdojë sepse 68% e të vetëpunësuarve në ekonominë e bashkëpunimit janë midis 18 dhe 34 vjeç. Është vështirë të mendohet se kjo pjesë e tregut të punës e mësuar me liri, të punësohet nesër në struktura me hierarki.
Ekonomia e bashkëpunimit ndikon në uljen e emisioneve të gazrave ndotës, mbi të gjitha të dioksidit të karbonit. Sipas një studimi të institutit amerikan “Brookings“, përdorimi i veturës në mënyrë të përbashkët ul 40% emisionet e dioksidit të karbonit për përdorues. Ky efekt fuqizohet akoma më tepër me uljen globale të kërkesës për mallra të reja që konsumojnë transport, ambalazhe, mbeturina etj. Ekonomia e bashkëpunimit po ndihmon në përmirësimin e moralit të shoqërisë. Kyçi i suksesit të ekonomisë së bashkëpunimit është besimi. Platformat përdorin secila sisteme vlerësimi të cilësisë së shërbimit të ofruar.
Këto vlerësime janë publike. Platformat lidhen me njëra-tjetrën për të verifikuar besueshmërinë e përdoruesve. I gjithë ekosistemi nxit individët të jenë sa më të besueshëm dhe askush nuk mund të fshihet, pra ndikon në mënyrë direkte në përgjegjësimin e shoqërisë. Nga ana tjetër, kërkesat e platformave në lidhje me cilësinë dhe besueshmërinë e furnitorëve të shërbimeve janë po aq të larta se tek konkurrentët operatorë tradicionalë. P.sh, “Uber“ në New York, përveç informacioneve të ngjashme të kërkuara nga taksitë e New Yorkut, kërkon shoferë mbi 21 vjeç, me eksperiencë minimale trevjeçare, ndërkohë që tek taksitë e New Yorkut, mosha minimale e shoferit është 19 vjeç dhe s’kërkohet eksperiencë minimale.
Problemi me ligjet
Interneti dhe teknologjia mundësojnë funksionimin e platformave të ekonomisë së bashkëpunimit në rang planetar. Problemi i aplikimit të ligjeve shtetërore dhe lokale po bëhet gjithnjë e më i mprehtë. Komisioni Europian po anketon nëse duhet të riklasifikojë “Uber“ si firmë transporti dhe jo si platformë ekonomie bashkëpunimi. Problematika është shumëfaqëshe: deformim i konkurrencës, mostaksim i njëjtë me sektorët tradicionalë, qoftë për platformat, qoftë për përdoruesit, kontrolli dhe siguria e shërbimeve, ndjekja e ankesave dhe reklamimeve…etj. Përgjigjet e ligjvënësve shtetërorë dhe lokalë janë të ndryshme.
Për shembull “Uber“ është ndaluar në Spanjë, Bashkia e Otavës në Kanada nuk rimburson më faturat e punonjësve të saj që përdorin “Uber“ në vend të taksive, megjithëse qeveria kanadeze e toleron. Aktiviteti i “AirBnB“ u bllokua në Berlin për qiradhëniet afatshkurtra. Këto reagime tregojnë se kuadri ligjor gjithandej është i papërshtatshëm për ekonominë e bashkëpunimit. Kjo mënyrë e re e konsumit, e mbështetur kryesisht nga brezi i ri, po ushtron presion mbi ligjvënësit që të përshpejtojë adaptimin e legjislacionit.
Për shembull, Danimarka po ndryshon ligjin mbi taksitë, Franca detyron “AirBnB“ t’i deklarojë tatimeve përdoruesit e platformës. Problematikë tjetër është mbledhja, përpunimi dhe përdorimi i informacioneve nga platformat. Ato mbledhin informacionet në lidhje me përdoruesit dhe studiojnë mënyrën e tyre të konsumit që të adaptojnë ofertën për çdo përdorues. Deri në këtë pikë s’ka problem, por në qoftë se rezultati i këtij trajtimi të informacionit është të diferencojë çmimet midis përdoruesve atëherë fillon e krijon diskriminim. “Uber“ për shembull, nuk afishon se si llogaritet çmimi i rrugës, taksitë janë të detyruara ta afishojnë.
Pra, “Uber“ mund të propozojë një çmim më të lartë në momentet kur zakonisht klienti ka nevojë për veturë, se në momentet kur zakonisht s’ka nevojë. Përsa i takon diskriminimit racor, statistikat e mbledhura nga “AirBnB“ në USA tregojnë se përdoruesit e platformës me origjinë afro-amerikane janë 16% më pak se të bardhët. Si çdo sektor i ri sfidat që ndesh ekonomia e bashkëpunimit janë të shumta, por është e qartë që ajo ndikon në mënyrë shumë pozitive në përmirësimin e të përditshmes së gjithkujt, në uljen e emisioneve të gazrave karbonikë, në moralizimin e shoqërisë dhe në përmirësimin e legjislacionit.
*Administrator fondesh investimi
Paris, maj 2017.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.