Revolucioni ‘katalanas’: Pedonizohen 6 blloqe urbanistike – 60% e rrugëve pa makina

Sikurse edhe në vendin tonë imazhi i fëmijëve që dikur luanin në rrugë pa pasur frikën e makinave edhe në Europë është venitur me kohën. Tashmë rrugët janë të dyndura në vetura dhe automjete të përmasave të ndryshme, duke dëbuar këmbësorët nga hapësira urbane dhe duke i lënë ata në zona gjithnjë e më të rralla, të ndotura dhe të zhurmshme. Por në Barcelonë, këmbësorët kanë ndërmarrë një iniciativë ‘hakmarrëse’. Gjashtë blloqe të urbanizimit të tij të famshëm tashmë janë ‘pedonalizuar’, duke çliruar rrugët e brendshme nga makinat në nëntë blloqe.
Në “supe-blloqet”, fëmijët tashmë mund të luajnë të qetë dhe pa problem. Dhe jo vetëm ata: madje edhe të rriturit përfitojnë nga hapësirat e reja duke e gjetur veten në pushimin e drekës në tavolina dhe stola të instaluara nga administrata e drejtuar nga Ada Colau. Aty ku makina dikur zhurmonte, njerëzit tani ecin dhe rriten pemë të reja.
Projekti, i filluar nga rrethi i Poblenou, synon pedonalizimin e 503 super blloqeve, për të çliruar 60% të rrugëve nga veturat e pushtuara tani nga trafiku, gjithashtu duke ulur trafikun motorik në qytet me 21%, si dhe falë promovimit të lëvizshmërisë së butë me biçikletë, me hapjen e 300 kilometrave pistash të reja, dhe së fundmi falë kufizimit të kohës së pritjes në transportin publik në maksimum 5 minuta.
Atmosferë më pak e ndotur
“Automjetet private tani sigurojnë vetëm 20% të udhëtimeve totale në qytet, por ato zënë 60% të rrugëve. Ne duhet t’i ri kthejmë rrugët banorëve”, thotë Janet Sanz, nënkryetar me përgjegjësi për ekologjinë, planifikimin urban dhe lëvizshmërinë dhe një mbështetës i shkëlqyeshëm i projektit, i cili tani ka fituar gjithashtu një mbështetje të fortë nga shkenca mjekësore.
Plani gjithashtu do të rrisë numrin e hapësirave të gjelbërta në një nga qytetet më të dendura në botë, me vetëm 6.6 metra katror hapësirë të gjelbër për banor, krahasuar me 27 në Londër dhe 87 në Amsterdam. Studiuesit llogaritin se rritja e bimësisë do të parandalonte 60 vdekje të parakohshme në vit, ndërsa rritja e aktivitetit fizik do të shtonte dhe 36 raste të tjera. Në total kjo skemë e re mobilizimi do të mund të shpëtojë 667 jetë njerëzore në vit. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.