Rezerva e detyrueshme – Ndryshojnë rregullat, rriten kostot për euron
Duke filluar nga ky muaj, Banka e Shqipërisë do të aplikojë ndryshime në rregullat për mbajtjen e rezervës së detyrueshme nga bankat tregtare. Deri tani, bankave iu ishte lejuar, përkohësisht, që një pjesë të rezervës së detyrueshme në euro ta mbanin në monedhën vendase, duke e konvertuar me kursin zyrtar. Që prej 24 gushtit kjo nuk do të lejohet më dhe bankat duhet ta mbajnë të gjithë rezervën e detyrueshme të denominuar në valutën përkatëse. Ky ndryshim pritet të rrisë likuiditetin e lirë në lekë dhe të shtrëngojë atë në monedhë të huaj, sidomos në euro. Lëvizja në fjalë pritet të ketë ndikim edhe kostot e bankave.
Për pjesën e rezervës së detyrueshme në euro, por që mbahej në lekë, norma e interesit ose e remunerimit që iu llogaritej bankave ishte 0. Nga momenti që e gjithë rezerva do të mbahet në euro, edhe norma e remunerimit do të jetë ajo që aplikohet për monedhën europiane dhe që aktualisht është negative, e njëjtë me normën e interesit të depozitave ditore të Bankës Qendrore Europiane. Kjo normë aktualisht është në vlera negative, me -0.4%, çka do të thotë se bankat do të kenë kosto për rezervën e detyrueshme në euro.
Rezerva e detyrueshme konsiston në një përqindje të caktuar të depozitave të bankave, në secilën monedhë, që ato duhet ta mbajnë të bllokuar në llogaritë e Bankës Qendrore. Vitin e kaluar, në kuadrin e paketës së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vendosi ta rriste rezervën e detyrueshme në euro dhe ta ulte atë në lekë. Por, fakti që bankat mund ta mbanin një pjesë të rezervës së euros, të konvertuar në lekë, e amortizoi në një fazë të parë efektin e kësaj mase. Tashmë që rezerva e detyrueshme për euron duhet të mbahet e gjitha në këtë monedhë, kostot e mbajtjes dhe përdorimit të euros për bankat do të rriten. Në teori, kjo mund të sjellë norma më të larta interesi për financimet në euro dhe, ndoshta, edhe komisione më të larta për mbajtjen e llogarive dhe depozitave në euro pranë bankave tregtare.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.