Rezerva Federale s’pyet për Trump – Rrit normën e interesit për herë të katërt në 2018

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara rriti normën bazë të interesit ditën e Mërkurë, në 2.25-2.5%, që është ndërhyrja e katërt për këtë vit.
Sipas bankës qendrore, nga muaji Nëntor, aktiviteti ekonomik në Shtetet e Bashkuara është rritur në mënyrë të qëndrueshme, tregu i punës ka vazhduar të fuqizohet dhe inflacioni vazhdon të qëndrojë në objektivin e Rezervës Federale. Të dhënat treguan gjithashtu se konsumi i ekonomive familjare është rritur, por investimet në aktive fikse nga korporatat janë ngadalësuar.
Rezerva Federale publikoi edhe projeksionet për ekonominë, pas takimit 2-ditorë të politikave monetare. Ekonomia më e madhe në botë pritet të rritet me 3% në vitin e plotë 2018, në rënie të lehtë nga projeksionet e muajit Shtator prej 3.1%. Norma është vlerësuar në rënie në 2.3% edhe për vitin 2019, nga 2.5% që projektohej më parë. Rezerva Federale pret që nëpërmjet normalizimit gradual të politikave monetare, perspektiva afat-mesëm e ekonomisë së SHBA do të vazhdojë optimiste.
Politikebërësit e sistemit bankar qendror bënë gjithashtu të ditur se normat e interesit pritet të rriten 2 herë në vitin 2019, nga 3 lëvizje që projektohej në Shtator. Tregjet amerikane prisnin gjerësisht që banka të rriste normën e interesit në Dhjetor, ndërsa presidenti Donald Trump mendonte se vazhdimi i ciklit tkurrës do të ndikonte rritjen ekonomike.
Kryetari i bankës, Jerome Powell tha në konferencën pas takimit se vendimi për të rritur interesat është bazuar tërësisht në gjendjen aktuale ekonomike dhe se Rezerva Federale nuk do të pengohet nga faktorët politikë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.