Rezerva valutore, 3.4 mld euro – U rrit me 13% gjatë vitit të kaluar
Rezerva valutore e vendit u rrit sërish gjatë vitit 2018 dhe ka arritur në 3.4 miliardë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rezerva valutore vitin e kaluar u rrit me 13% ose 403 milionë euro në vlerë absolute.
Vitin e shkuar, Banka e Shqipërisë bleu sasi të mëdha valute. Një pjesë e këtyre blerjeve ishin të adresuara posaçërisht për rritjen e rezervës valutore, ndërsa një pjesë e blerjeve u bënë në kuadrin e ndërhyrjes për të frenuar mbiçmimin e lekut në kursin e këmbimit.
Më pesë vitet e fundit rezerva valutore ka njohur rritje të vazhdueshme. Vlera e saj është rritur me rreth 70% që nga viti 2013, kur kishte vlerën e rreth dy miliardë eurove. Shqipëria ka ngritur një rezervë valutore për rreth një të katërtën e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kjo është rreth pesë herë sa deficiti vjetor i llogarisë korrente të vendit, një mbulim mjaft i kënaqshëm krahasuar me shumë ekonomi të tjera. Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj.
Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Megjithatë, një nga arsyet që e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të rrisë rezervën valutore është euroizimi i lartë i sektorit financiar. Për të mund të mbuluar nevoja eventuale për likuiditet në valutë nga sistemi, Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë më tej rezervën valutore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.