Rezerva valutore – BSH bleu 18 milionë euro në tremujorin e dytë
Banka e Shqipërisë ka blerë 18 milionë euro në tremujorin e dytë të këtij viti, me qëllim rritjen e rezervës së saj valutore. Në informacionin mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë, Banka Qendrore ka bërë të ditur se shuma e blerjes së euros ka qenë edhe më e lartë se parashikimet.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë deri në 56 milionë euro gjatë këtij viti, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Janë shtatë ankande, që kanë nisur në muajin prill, me një interval të planifikuar të blerjes nga tre deri në tetë milionë euro për secilin ankand.
Në dy ankandet e tremujorit të dytë, megjithatë, shuma e blerë ka qenë edhe më e lartë se parashikimet. Me shumë të ngjarë, Banka e Shqipërisë ka vendosur të shfrytëzojë konjukturën e favorshme të kursit të euros, që këtë vit paraqitet në minimumet e tetë viteve të fundit.
Sidoqoftë, pavarësisht nga kërkesa e Bankës së Shqipërisë në dy ankande me vlera të konsiderueshme, kursi i euros nuk pati luhatje të mëdha, dhe në gjysmën e dytë të qershorit preku nivelin më të ulët të këtij viti.
Euroizimi i lartë i sistemit financiar dhe, në veçanti, rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë dy viteve të fundit, ka bërë që Banka e Shqipërisë të vendosë rritjen e rezervës valutore.
Aktualisht, rezerva valutore shërben si një instrument që synon të mbulojë nevojat e mundshme emergjente të ekonomisë për valutë dhe të zbusë goditje të forta në kursin e këmbimit.
Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar.
Banka Qendrore nuk zotëron instrumente të mbështetjes me likuiditet në monedhë të huaj, megjithatë, forma të veçanta ndihme mund të aplikohen në rrethana të jashtëzakonshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.