Rezerva valutore – BSH bleu 36 milionë euro për 9-mujorin 2017

Banka e Shqipërisë ka blerë në tregun e brendshëm valutor afro 36 milionë euro për 9-mujorin e vitit 2017. Sipas informacionit për ndërhyrjet në tregun e parasë, vetëm gjatë tremujorit të tretë, janë zhvilluar dy ankande, në të cilat janë blerë gjithsej 22.6 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka shfrytëzuar konjukturën e favorshme në kursin e këmbimit, për të ndërmarrë blerje valute në vlera edhe më të larta se parashikimet.
Kështu, sipas kalendarit të publikuar të ankandeve, gjatë 9-mujorit të parë parashikohej blerje valute për një shumë maksimale prej rreth 32 milionë eurosh. Por, veçanërisht në tremujorin e tretë, kur edhe flukset e euros në treg janë më të larta, Banka Qendrore ka vendosur të blejë shuma edhe më të mëdha. Verën e kaluar, kursi i euros zbriti poshtë vlerës së 133 lekëve, në nivelet më të ulëta që nga viti 2009.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë rreth 56 milionë euro gjatë vitit 2017, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Euroizimi i lartë i sistemit financiar dhe, në veçanti, rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë dy viteve të fundit, ka bërë që Banka e Shqipërisë të vendosë rritjen e rezervës valutore.
Aktualisht, rezerva valutore shërben si një instrument që synon të mbulojë nevojat e mundshme emergjente të ekonomisë për valutë dhe të zbusë goditje të forta në kursin e këmbimit. Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.