Rezerva valutore – Për vitin 2017 arrin në afro 3 miliardë euro
Rezerva valutore e vendit u rrit sërish gjatë vitit 2017 dhe ka arritur në pothuajse tre miliardë euro. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, në katër vitet e fundit rezerva valutore ka njohur rritje të vazhdueshme.
Vlera e saj është rritur me rreth 50% që nga viti 2013, kur kishte vlerën e rreth dy miliardë eurove. Shqipëria ka ngritur një rezervë valutore sa rreth 26% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nivel ky relativisht i lartë krahasuar me ekonomi të tjera.
Po të kemi parasysh se për vitin e kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte afërsisht sa 6.4% e Prodhimit Kombëtar, duket se Shqipëria ka një mbulim mjaft të kënaqshëm kundrejt nevojave eventuale të ekonomisë.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Një shembull i prekshëm është Turqia, që këtë vit po vuan një zhvlerësim drastik të monedhës kombëtare, të cilin deri tani banka qendrore nuk po arrin ta frenojë.
Për të qenë e përgatitur ndaj nevojave të mundshme në të ardhmen, Banka e Shqipërisë në vitet e fundit e ka rritur ndjeshëm rezervën valutore dhe duket se do të bëjë të njëjtën gjë edhe gjatë vitit 2018.
Banka qendrore ka planifikuar 10 ankande të blerjes së valutës, që mund ta çojë vlerën e euros së blerë gjatë këtij viti në rreth 60 milionë euro
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.