Rezervat e Presidentit për buxhetin e 2020-ës/ Meta dekreton ligjin: ”Parashikime jo realiste, mungojnë politikat sociale”
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2020, pa vonesë, me qëllim që të merren masa për të rikuperuar dëmet që la pas tërmeti i 26 Nëntorit, por ndërkaq, shpreh një sërë rezervash. Në dekret thuhet se parashikimi i rritjes ekonomike në 4.1% për vitin 2020 mbetet jo realist sepse nuk reflekton dobësitë e rritjes ekonomike për vitin 2019, si dhe efektin e shtuar nga dëmet dhe humbjet nga tërmeti.
Sipas këtij institucioni buxheti nuk reflekton progres drejt një përmirësimi të politikës fiskale dhe ndryshimet fiskale të propozuara zgjerojnë më tej përjashtimet si dhe diferencimin e normave tatimore. Në këndvështrimin e Presidencës, drafti nuk krijon më shumë hapësirë për shpenzimet publike të cilat mbështesin rritjen ekonomike, si investimet publike apo shpenzime, si rritja e pagave, pensioneve dhe pagesave të cilat nxisin konsumin si dhe nuk adreson shqetësimet për investime në sektorin e arsimit. Në dekret nënvizohet rreziku që i vjen buxhetit nga PPP-të, i injektimit të kapitalit për Koorporatën e Investimeve, i financimit të humbjeve të sektorit të energjisë, si dhe rritja e kostos së borxhit publik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.