Rezervimet online sollën këtë verë 10 milionë dollarë fitime – AirBNB i afrohet Booking, të ardhurat të prirura drejt rritjes

Nëse keni një banesë dhe vendosët që këtë verë ta jepni me qira për turistët e huaj përmes internetit, gjasat janë që ky veprim ka rezultuar me shumë përfitime.
Të dhënat ekskluzive për SCAN nga AirDNA, kompania që shërben si zyrë statistikash për AirBNB, tregojnë se sa kanë fituar akomoduesit shqiptarë gjatë këtij sezoni veror.
Vetëm për periudhën Qershor-Gusht 2017, strukturat akomoduese në këtë platformë futën në xhep 2,3 milionë dollarë. Këtu përfshihet vetëm fitimi i qiradhënësve, ndërsa tarifa prej 3-5% që merr kompania ndërkombëtare nuk llogaritet.
Ndërkohë që për një vit, pra nga Shtatori i 2016-ës e deri në Gusht, fitimi arrin në pothuajse 3 milionë dollarë.

Këto të ardhura vjetore pritet të shtohen ndjeshëm muaj pas muaji, pasi regjistrimi i banesave online ka pasur një lulëzim gjatë fillimit të këtij sezoni veror. Nëse në Gusht të 2016-ës kishim vetëm 327 struktura në AirBNB, ky Gusht numëroi 2897 të tilla.
Teksa aplikacionet dhe portalet online ku mund të reklamosh banesën e pushimeve janë të shumta, në tregun shqiptar mbeten dominante platformat Booking dhe AirBNB. Edhe pse kjo e fundit ka rritur pjesën e tregut, falë hovit të regjistrimeve, përsëri është Booking në pozita dominuese.
Arsyet kanë të bëjnë me faktin që është një platformë më e vjetër në treg, përfshin edhe hotelet, si edhe është relativisht më e lehtë për t’u përdorur nga pronarët e ndryshëm,. Gjithashtu, booking rezulton të jetë më popullor mes popujve të Europës Lindore, të cilët janë edhe grupi kryesor i turistëve në vend, pas atyre nga rajoni dhe Italia.
Kështu, Booking ka 2784 prona të listuara, por një numër shumë më të madh dhomash të lira për rezervim. SCAN ka monitoruar këtë platformë gjatë muajve të verës, kur rezervimet arritën deri në 70% të të gjithë dhomave në bregdet.
Sipas përllogaritjeve, fitimet në këtë platformë për periudhën Qershor-Gusht 2017 arrijnë nga 7 deri në 9 milionë dollarë në të gjithë vendin. Në këtë llogaritje hyjnë në lojë një sërë faktorësh si: numri i pronave, numri i dhomave për pronë, përqindja e dhomave të zëna, vendndodhja e pronës (në bregdet, Tiranë, apo në rrethe), si edhe fitimi mesatar për llojin e pronës.
Kështu, nga rezervimet online gjatë verës mund të themi se pronarët shqiptarë të strukturave të ndryshme akomoduese, qofshin hotele, apartamente, banesa apo dhoma, kanë fituar rreth 10 milionë dollarë.
Sa i takon totalit të netëve të fjetura, të cilat pritet të jenë rreth 900 mijë, në bazë të projeksioneve për numrin e turistëve të huaj, rezulton se vetëm për muajt e verës mbi 40 mijë i takojnë AirBNB (e cila deklaron në faqen zyrtare se përfshin TVSH në tarifa në Shqipëri), ndërsa mbi 200 mijë i takojnë platformës Booking, ku një pjesë e mirë e strukturave veprojnë në mënyrë informale.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.