Rezoluta për integrimin – Kuvendi e miraton me 73 vota pro, opozita braktis seancën
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pa praninë e opozitës, me 73 vota pro rezolutën për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u larguan nga seanca, gjë e cila u komentua nga kryeministri Edi Rama si një akt tradhtie ndaj vendit.
Rama, gjatë fjalës së tij, kritikoi opozitën për qëndrimet e saj si pengesa për integrimin e vendit.
Deputeti demokrat, Genc Pollo iu përgjigj akuzave të Ramës, duke thënë se rezoluta u hartua nga Partia Socialiste pa konsensus, duke e vlerësuar atë si një makjazh për mbulimin e zullumeve të qeverisë.
Rezoluta e miratuar këtë të enjte përmban 12 pika, ku thuhet se vendi ynë e mirëpret çeljen e negociatave.
Ky dokument inkurajon 27 vendet anëtare të BE për një vendimmarrje pozitive për Shqipërinë në muajin Qershor si dhe i kërkon qeverisë të përmbushë të gjitha reformat e nisura.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.