Rezultatet e 6-mujorit – Fitimet ngelen të përqendruara në pak banka

Shumica e bankave tregtare e mbyllën gjashtëmujorin e parë të vitit me fitim, megjithatë shifrat tregojnë se sistemi ka një polarizim të konsiderueshëm mes bankave të ndryshme për sa i takon rezultatit financiar.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, nëntë prej tyre e mbyllën gjysmën e parë të vitit me fitim. Siç ka ndodhur vazhdimisht në vitet e fundit, fitimet janë mjaft të përqendruara në dy bankat më të mëdha, BKT dhe Raiffeisen.
Për gjashtëmujorin e parë të vitit, të dy këto banka së bashkua realizuan një fitim prej 5.8 miliardë lekësh. Një tendencë të qëndrueshme pozitive në rezultatet financiare kanë edhe Credins, Intesa Sanpaolo dhe Societe Generale, por me fitime që nuk arrijnë vlera 10—shifrore, si në rastin e dy bankave më të mëdha.
Ecuri pozitive në vazhdimësi po tregojnë edhe Union Bank, ABI Bank dhe Fibank, që raportuan rezultat me fitim në të dy tremujorët e parë të këtij viti.
Mes bankave me humbje bien në sy rezultatet negative të tre bankave që kanë finalizuar ose janë duke mbyllur shitjen te aksionerë të tjerë. Tirana Bank e mbylli gjysmën e parë të vitit me një humbje prej 833 milionë lekësh, duke iu rikthyer rezultateve negative, pas një paranteze përmirësimi vitin e kaluar.
Këtë javë Grupi i Pireut njoftoi arritjen e marrëveshjes për shitjen e Tirana Bank te grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Banka tjetër që zyrtarizoi shitjen këtë vit, NBG Bank e mbylli gjithashtu gjysmën e parë të vitit me humbje në vlerën e 571 milionë lekëve. V
azhdon serinë negative edhe Veneto Banka, që raportoi humbje prej 417 milionë lekësh për 6-mujorin. Këtë vit, grupi Intesa Sanpaolo ka nisur procedurat e shkrirjes së Veneto Banka me bankën më të madhe të grupit, Intesa Sanpaolo Bank – Shqipëri.
Me humbje e mbyllën 6-mujorin e parë të këtij viti edhe Alpha Bank, ProCredit Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.