Rezultatet e bankave, edhe viti 2017 nis pozitivisht

Sistemi bankar e ka nisur me rezultate pozitive edhe vitin 2017. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për muajin Janar, sistemi arriti një fitim në vlerën e 1.7 miliardë lekëve. Ky rezultat është dy herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rezultatet financiare të bankave duket se kanë përfituar nga stabilizimi i normave të interesit, por edhe i treguesit të kredive me probleme. Pas uljes së regjistruar në fund të vitit 2016, falë pastrimit të kredive të humbura, ky tregues ka rezultuar i qëndrueshëm edhe për Janarin.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fillim të këtij viti ishte 18.2%, nga 18.3% që kishte qenë për dhjetorin. Stabilizimi dhe ulja e kredive me probleme mbetet një element kyç për uljen e nivelit të kredive me probleme, duke qenë se mundësojnë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve për provigjione.
Por, ndërkohë, edhe më përcaktues do të jetë përtëritja e kreditimit. Shpejtimi i kreditimit është burimi kryesor i rritjes së bazës së të ardhurave për sistemin bankar. Viti 2016 solli zhvillime pozitive, sidomos në kreditimin e individëve, por rritja ishte sidoqoftë e zbehtë. Për këtë vit, pritshmëritë janë më optimiste, sidomos falë përmirësimeve të mëtejshme të ekonomisë, që për vitin 2017 pritet të rritet në kufijtë e 4%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.