Rezultatet e Credins – Aktivet e bankës, rritje vjetore me 10%

Credins Bank është ndër bankat me ritmet më të larta të rritjes edhe gjatë vitit 2017. Sipas treguesve financiarë të paaudituar, të publikuar nga banka, në fund të muajit maj totali i aktiveve arriti vlerën e 168 miliardë lekëve, në rritje me afro 10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Credins Bank është banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar, me një pjesë tregu që vlerësohet në afërsisht 11.7%. Rritja e bankës edhe gjatë këtij viti po mbështetet, në një masë të madhe, në zgjerimin e kreditimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga banka, portofoli neto i kredisë në fund të majit ishte afro 96 miliardë lekë në rritje vjetore me rreth 4.2%. Rritja është edhe më e lartë në krahun e depozitave, që gjatë një viti janë shtuar me 9.2%.
Credins mban depozita të publikut në vlerën e 143 miliardë lekëve ose 1.08 miliardë eurove. Edhe performanca financiare e bankës është në përmirësim gjatë vitit 2017.
Për pesë mujorin, fitimi neto kishte vlerën e 191 milionë lekëve, afro dy herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sidoqoftë, përfitueshmëria e Credins, e shprehur si kthim nga kapitali aksioner është në nivele modeste, me 3.33%.
Sipas të dhënave më të fundit, Credins Bank ju shërben 255 mijë klientëve, me një rrjet prej 58 degësh dhe agjencish dhe një staf prej 832 punonjësish.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.