Rezultatet e Credins, kredia rritet me 11.5%, dyfishohet fitimi

Credins Bank ka vijuar rritjen me ritme mjaft të larta edhe përgjatë vitit 2016. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë banka për 11-mujorin, totali i aktiveve të bankës është zgjeruar me 16% që nga fillimi i vitit.
Credins është tashmë banka e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ka mbajtur ritme mjaft të larta të rritjes në vitet e fundit, rritje që është mbështetur kryesisht te zgjerimi i kreditimit.
Në fund të nëntorit 2016, portofoli neto i kredisë ka arritur në 96.5 miliardë lekë, në rritje me 10 miliardë lekë ose rreth 11.5% gjatë vitit kalendarik. Rritja e kredisë mbetet mjaft e lartë krahasuar me mesataren e sistemit, që, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të nëntorit ishte rreth 0.7%.
Aktiviteti kreditues është mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e depozitave, që në 11 muajt e vitit të kaluar u zgjeruan me 13.4%.
Depozitat e klientëve në Credins Bank tashmë kanë kaluar vlerën e 1 miliard eurove. Muaji Nëntor gjithashtu ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar të Credins.
Fitimi neto ka arritur vlerën e 692 milionë lekëve, dy herë më shumë krahasuar me gjithë fitimin vjetor të 2015. Treguesit e përfitueshmërisë së Credins janë pranë niveleve mesatare të sistemit bankar, me një kthim nga kapitali prej rreth 6% dhe një kthim nga aktivet rreth 0.5%.
Në fund të muajit Nëntor, Credins kishte afro 253 mijë klientë, të cilëve ju shërbente një rrjet prej 58 degësh dhe afro 800 punonjësish.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.