Rezultatet e tremujorit – Nëntë banka me fitime
Performanca e tremujorit të parë të vitit ka qenë pozitive për shumicën e bankave në vend.
Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, nga 14 banka të sistemit që kanë raportuar të dhëna, 9 prej tyre kishin një rezultat fitimprurës për tremujorin e parë.
Përfitueshmëria ngelet më e lartë te bankat më të mëdha të sistemit, por edhe tek ai grup bankash që në vazhdimësi vitet e fundit kanë ndjekur një trajektore të rritjes dhe forcimit të pozitave të tyre në treg.
Bankat më të mëdha, që zotërojnë më shumë se 10% pjesë tregu, e mbyllën të gjitha me fitim tremujorin e parë.
Në këtë grup përfshihen Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen, Credins dhe Intesa Sanpaolo. BKT dhe Raiffeisen janë të vetmet me fitime tremujore sipër pragut të 1 miliard lekëve.
Këto banka kanë kthime ndjeshëm më të larta se pjesa tjetër e sistemit, falë pjesës së lartë të tregut dhe sidomos bazës së gjerë të ardhurave nga investimet me rrezik të ulët, sidomos nga bonot dhe obligacionet qeveritare. Për pjesën tjetër të sistemit bankar, fitimet janë në përmasa më të kufizuara, qoftë në vlerë absolute, qoftë të matura si kthim nga kapitali i investuar.
Credins Bank e mbylli tremujorin e parë me një fitim prej 24 milionë lekësh, duke konfirmuar edhe këtë tremujor performancën pozitive të qëndrueshme prej vitesh. Edhe banka e katërt më e madhe në vend, Intesa Sanpaolo, raportoi rezultat me fitim në vlerën e 534 milionë lekëve.
Rezultate pozitive regjistruan edhe Societe Generale, Union Bank, ABI Bank, Fibank dhe ProCredit Bank.
Me humbje e mbyllën tremujorin e parë të treja bankat greke, Tirana Bank, Alpha Bank dhe NBG Bank.
NBG Bank, që është në procesin e transferimit të pronësisë te ABI Bank, raportoi një humbje në vlerën e 383 milionë lekëve.
Ndër bankat më të vogla, me humbje e mbyllën tremujorin e parë të vitit edhe Banka Ndërkombëtare Tregtare dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë.
Edhe këto dy banka nuk kanë më ambicie për të qëndruar në tregun shqiptar dhe janë në kërkim të blerësve të mundshëm.
Veneto Banka dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk kanë publikuar të dhëna për tremujorin e parë të vitit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.